Dorëzimi i materialeve të ndjeshme, shpërndarja e vëzhguesve dhe hapja e vendvotimeve

29/04/2012

Ferizaj – INPO dhe D4D janë duke e vëzhguar procesin e votimit dhe kemi një vëzhgues në çdo vendvotim në tërë komunën e Ferizaj të cilët kanë arritur me kohë. Gjithashtu janë pesë ekipe mobile.

Vëzhgimi i ditës së zgjedhjeve ka filluar nga ora 04:00 e mëngjesit duke filluar nga shpërndarja e materialit të ndjeshëm nga zyrat e KKZ-së. Sipas vëzhguesve tanë, hapja ka shkuar me rregull dhe materiali i ndjeshëm është shpërndarë kryesuesve. Mirëpo, është brengosëse që jo gjithmonë materiali i ndjeshëm i është dorëzuar kryesuesit. Kanë qenë së paku 3 raste kur materialin e ka marrë një person tjetër.

Aspekt i rëndësishëm për fillimin dhe mbarëvajtjen e procesit të votimit janë edhe pjesëtarët e Policisë së Kosovës për të cilët INPO dhe D4D vlerësojnë se kanë kryer në nivel të lartë detyrat për shpërndarjen e materialit zgjedhor nëpër Qendra të Votimit.

Deri në ora 7:15 janë hapur të gjitha vendvotimeve. Shumica dërrmuese e tyre janë hapur saktë në ora 7. Deri në 7 e 5 minuta janë hapur 75% e vendvotimeve, dhe 25% tjera janë hapur deri në ora 07:15.

Deri më tani, vëzhguesit e INPO-s dhe D4D-s nuk kanë vërejtur ndonjë problem serioz. Në disa raste është vërejtur mospërgatitja në nivel të duhur të disa komisionerëve të cilët nuk kanë pasur njohuri për procedurat e votimit. Ishte rasti në qendrën e votimit 2507D (vendvotimi 01R) ku komisionerja e dhënies së fletëvotimeve nuk dinte procedurat e dhënies së fletëvotimeve, përkatësisht duke mos hequr edhe numrin serik të fletëvotimeve.

Në disa raste tjera, komisionerët nuk kanë pasur njohuri të duhur se si të sjellen duke mos lejuar vëzhguesit tanë që të futen në vendvotimit para orës 7 për të përcjellur procedurat e hapjes së vendvotimit.

Në disa vendvotime komisionarët nuk ishin në dijeni për organizimin fizik ndryshe të vendvotimit dhe mundësinë që vëzhguesit të qëndrojnë prapa zyrtarëve. Duhet përkujtuar se ky ripozicionim ishte një arritje e madhe që ka arritur shoqëria civile javën e fundit.

Gjatë vëzhgimit të KQZ-së, është raportuar që 40 komisionarë nuk kanë ndjekur trajnimin e obligueshëm. D4D dhe INPO kanë shprehur edhe me herë shqetësimet e tyre në lidhje me nivelin e trajnimit nga ana KKZ-së për komisionarët që do të marrin pjesë në këto zgjedhje.