Diskutohet puna gjashtëmujore e kryetarit të Ferizajt z. Aliu

23/01/2013

23 Janar 2013 – Organizata INPO ka organizuar një debat me përfaqësuesit e partive politike në komunën e Ferizajt dhe Shoqërisë civile. Tema e këtij takimi ishte: “Puna gjashtë mujore e kryetarit të Komunës z. Agim Aliu”. Fokus të veçantë në këtë diskutim kishin premtimet e dhëna gjatë fushatës zgjedhore në komunën e Ferizajt. Gjatë këtij debati është prezantuar edhe një raport i shkurtër i INPO-s për punën gjashtë mujore të kryetarit. Të pranishëm në këtë takim ishin: Faruk Guri (LDK), Ibrahim Hyseni (AKR), Ylber Topalli (PDK), Flamur Istrefi (VV) dhe Bekim Ademi (LB).

Organizata INPO shprehi se zgjedhjet e jashtëzakonshme në Ferizaj, sollën në krye të komunës z.Agim Aliu. Pa ndonjë platformë, ai vazhdoi mandatin qeverisës të Bajrush Xhemailit, i cili me një vendim të Gjykatës Supreme u dënua me 2.5 vjet burg, shkaku i një aksidenti në komunikacion, i cili la të vdekur një person.

Në fushatën zgjedhore z.Aliu, ndonëse e kishte të qartë se po e vazhdonte një mandat qeverisës prej 1.5 vjet, prezantoi para elektoratit një listë të gjatë premtimesh, ndër të cilat janë edhe këto:

• Përkushtimi për një Ferizaj evropian
• Qeverisje transparente
• Zhvillim ekonomik dhe krijim të vendeve të reja të punës
• Administratë profesionale
• Funksionalizimin e bifurkacionit
• Investime për jetë më të mirë të të rinjve
• Ndërtimin e një stadiumi
• Investime të reja në kulturë dhe shëndetësi

INPO, vlerëson se gjatë kësaj kohe, pra për gjashtë muaj, nuk janë dhënë indikacione për plotësimin e premtimeve elektorale. Kryetari nuk ka prezantuar ndonjë strategji apo plan për realizimin e këtyre premtimeve. Për më tej, ai ka vazhduar që qeverisjen e tij ta mbështes në platformën e trashëguar nga pararendësi Xhemaili.

Në përgjithësi ndaj çështjeve që organizata INPO ka ngritur, kryetari i komunës së Ferizajt është pajtuar pjesërisht duke potencuar së qeverisja e tij në këtë komunë, ka sjell përmirësime në disa sektor. Kryetari z. Aliu ka cekur se do të ndjek të gjitha rrugët që komuna e Ferizajt të shndërrohet në një komunë evropiane. Ai më tutje ka lavdëruar inkasimin e tatimeve në pronë, duke e rritur atë mbi 10 % dhe duke ngritur cilësinë e shërbimeve publike në sektorin e arsimit dhe shëndetësisë. Po ashtu kryetari theksoi se reforma në administratë është prioritet i vazhdueshëm në mandatin e tij dhe se nëpunësit komunal do ta ndryshojnë qasjen duke krijuar një vetëdije që janë aty për ti shërbyer qytetarët. Po ashtu një pikë tjetër që është cekur nga kryetari është buxheti aktual i komunës që sipas kryetarit është bërë me konsultim të qytetarëve dhe se është një buxhet i qytetarëve për nevojat e tyre. Ai premtoj se transparenca do të jetë e plotë dhe se çdo dokument do të bëhet publik dhe se qasja në dokumente zyrtare do të implementohet sipas ligjit.

Ndërsa, z. Guri nga LDK ka ngritur shqetësimin e tij se komuna e Ferizajt nuk është rrugës për tu bërë një komunë evropiane. Sidomos për shkak të përformancës të kryetarit aktual. Z.Guri po ashtu theksoj së Drejtorët ende nuk e kanë një mandat ligjor të qartësuar dhe se buxheti i komunës është një buxhet kryekëput politik e jo në interes të qytetarëve. Po ashtu ai vuri një theks të veçantë tek administrata, arsimi dhe shëndetësia, që sipas tij janë të politizuar në masë të madhe.

Përderisa z.Flamur Istrefi nga Lëvizja Vetëvendosje potencoj së komuna e Ferizajt po vazhdon me keq-menaxhim të parave të taksapaguesve. Z. Istrefi theksoj se Administrata komunale, sektori i shëndetësisë dhe arsimi nuk janë në nivel të kënaqshëm. Ai po ashtu potencoi se duhet të ushtrohet më shumë kontroll ndaj kontratave publike dhe se duhet të ngritet cilësia e ndërtimeve në qytet.

Bekim Ademi nga Lëvizja për Bashkim është fokusuar në dy pika e para tek arsimi ku sipas z. Ademit cilësia është ulur për shkak të politikave të punësimit të stafit arsimor me procedua të parregullta duke shendrruar sektorin e Arsimit si vend ku gjejnë punë militantët partiak. Gjithashtu ai ka drejtuar disa kritika rreth infrastrukturës urbane të qytetit, e cila sipas tij duhet të zhvillohet duke respektuar planet zhvillimore urbane

Përderisa z. Ibrahimi dhe z. Topalli u pajtuan me progresin e komunës së Ferizajt që është prezantuar nga kryetari i komunës së Ferizajt duke theksuar se çdo herë ka vend për përmirësime në qeverisje.