“Dënime sistematike dhe jo seleksionim të kompanive”
04/08/2011INPO përshëndet veprimin e Komunës së Ferizajt për kërkimin e llogarisë nga operatorët ekonomikë të cilët nuk kanë plotësuar kushtet kontraktuake të parapara në kontratë. Në javën e kaluar Kryetari Xhemajli publikisht prezantoi 11 kompani të cilët ishin gjobitur për shkak të vonesave në kryerjen e punëve. Nëntitulli i lajmit në ëeb-faqën e Komunës së Ferizajt ku thuhet se “Kryetari i Komunës së Ferizajt Bajrush Xhemaili, për shkak të vonesave në realizmin e projekteve ka dënuar 11 operatorë për mos kryerje të punimeve brenda afatit kohor” është një në titull tendencioz për autoritetin e Kryetarit. Nuk është në fushën e kompetencave e as edhe përgjegjësi e Kryetarit të një komune që të dënojë ndokënd.
Ne mendojmë se ky veprim është një veprim i vonuar. Se dënimet për mos përmbushje të kontratës nga operatorët ekonomikë në bazë të ligjit të Prokurimit Publikë është një proces sistematik dhe organet e komunës janë të obliguar sistematikisht të ndërmarrin masa ndaj operatorëve të papërgjegjshëm.
Për më tepër në këtë listë nuk janë futur edhe disa operatorë të tjerë ekonomikë të cilët gjithashtu kishin vonuar punimet por edhe ishin jo serioz duke mos finalizuar ato. Me këtë akt komuna ka bërë seleksionim dhe diskriminim të kompanive duke mos i trajtuar të gjitha në mënyrë të drejtë.
INPO i bënë thirrje organeve të komunës që të punojnë në mënyrë sistematike dhe të kërkojnë më shumë llogari nga komisionet mbikëqyrëse dhe komisionet për pranime teknike, të jenë më shumë serioz dhe të pa korruptueshëm se vetëm në këtë mënyrë mund të kemi investime të qëndrueshme në Komunën e Ferizajt.