Deklarate per media
25/02/2011“Komuna bën gabim në adresa”
Organizata INPO bën të ditur se ka dërguar një kërkesë zyrtare në adresën elektronike të Zyrës së Informimit në Prishtinë, me datë 08 Shkurt 2011 për të kërkuar qasje në : Materialet e seancave të Kuvendit të Komunës (agjendën dhe dokumentet që ju jepen deputetëve), Listën e Drejtorëve të Drejtorive Komunale ( numrat kontaktues dhe e-mail adresat), Planin e punës dhe objektivat për vitin 2011 si dhe Raportet e punës së Kryetarit të Komunës së Prishtinës dhe Drejtorive për vitin 2010.
Zyra e Informimit në Komunën e Prishtinës nuk ka ofruar një përgjigjje zyrtare, qoftë edhe verbale lidhur me kërkesën e INPO-së të regjistruar me datë 09 Shkurt 2011 e cila kishte afatin e kthimit të përgjigjjes deri me 23 Shkurt 2011 (15 ditë sipas Ligjit për Qasje në Dokumentet Zyrtare). INPO ka pranuar përgjigjen me datën 24 Shkurt 2011 atëher kur ju kemi bërë ftesë mediave për konferencë lidhur me reagimin tonë ndaj injorimit të kërkesës për qasje në dokumente zyrtare.
Arsyetimi i Zyrës së Informimit ishte se ata i janë përgjigjur këresës sonë me datë 21 Shkurt 2011 mirëpo arsyeja e vonesës ishte gabimi në shkrimin e adresës të zyrës së INPO-së. Për shkak të gabimeve të tilla nga Komuna e Prishtinës organizata jonë ka hasur në vështirësi ti zhvilloj aktivitetet e saj sipas afateve të parapara. Ndërsa adresa e plotë e INPO-së dhe numrat kontaktues kanë qenë në kërkesën e parashtruar, prandaj ne vlerësojmë se qështja e adresës nuk është arsyetim i drejtë.
INPO bën monitorimin e Komunës së Prishtinës andaj është e hapur për bashkëpunim në interes të së mirës së përgjithshme. Falenderojmë Zyrën e Informimit për përgjigjen pozitive ndaj kërkesës sonë e cila tregon hapin e parë të vënies së bashkëpunimit edhe pse me vonesë dhe gabime teknike, prandaj ne kërkojmë nga Komuna e Prishtinës që të jetë e saktë në shkrimin e adresave dhe në shpejtësinë e shqyrtimit të kërkesave të shoqërisë civile.