DEKLARATË: Në përkrahje të Grupit të Qytetarëve Protestues
06/03/20136 mars 2013, Prishtinë
Ne, organizatat e shoqërisë civile të Kosovës, shprehim përkrahjen tonë të fuqishme për protestën e sotme të Grupit të Qytetarëve Protestues për të kundërshtuar faturimet e fryera dhe të manipuluara të KEK-ut. Ne i përkrahim të gjitha kërkesat e kësaj iniciative qytetare dhe i ftojmë të gjithë qytetarët e Kosovës që të jenë pjesë e tyre për të shprehur vullnetin tonë për shtet të së drejtës dhe të mirëqenies.
Ne konsiderojmë se faturat e padrejta të Janarit 2013 janë vetëm një pjesë e vogël e padrejtësive të mëdha të KEK-ut të bëra në kurriz të qytetarit për vite të tëra pas lufte. Për më tepër, kjo padrejtësi e KEK-ut është tregues i dështimit të institucioneve shtetërore të Kosovës për të ofruar mirëqenie dhe dinjitet minimal për qytetarin e Kosovës. Një sistem i tillë kleptokratik i qeverisjes shtetërore në të gjitha nivelet ka prodhuar shërbime të mjerueshme publike. Për më tepër, qytetarëve të Kosovës po u vendosen edhe ngarkesa të padrejta, si pasojë e përfundimit të parasë publike në xhepat e politikanëve, udhëheqësve institucional dhe të ndërmarrjeve publike.
Për të reaguar kundër shkeljes së dinjitetit qytetar dhe për të kërkuar drejtësi sociale, ne i ftojmë të gjithë qytetarët e Kosovës t’i përgjigjen thirrjes së Grupit të Qytetarëve Protestues për protestë paqësore gjithë-popullore, e cila do të fillojë më 6 mars 2013 (e mërkurë), në orën 12.00, para ndërtesës së KEK-ut.