Degradimi legal i ambientit nga Komuna e Ferizajt

15/01/2013

Komuna e Ferizajt edhe pse e obliguar me ligj që të krijojë një mjedis të shëndetshëm për qytetarët e Ferizajt, dje pa ndonjë arsyetim të qëndrueshëm, ndërmori një aksion për prerjen e drunjve që i jepnin frymë qytetit tash e dhjetëra vite. Kur vetëm para pak muajve të gjithë qytetarëve iu premtua se qyteti i tyre do të bëhej europian nga fjalimet e kandidatit për Kryetar të qytetit nga Partia Demokratike e Kosovës, dje u dëshmua e kundërta në të gjitha mënyrat e mundshme pikërisht nga Kryetari i cili zgjedhjet i fitoi duke premtuar ndërtimin e më shumë hapësirave të gjelbra në Ferizaj.

IntervistaDrejtoria për Shërbime Publike dhe Emergjencë duke mos konsultuar Drejtorinë e Urbanizmit dhe Mjedisit, kishte marrë një vendim ad – hoc për të prerë dy drunj në qendër të qytetit me arsyetimin se paraqisnin rrezik për kalimtarët dhe objektet e banimit përreth. Përderisa praktikat evropiane, por edhe ligjet tona parashohin që prerja e drunjve është një çështje që duhet të përcillet me një debat publik dhe duke respektuar rregulloret për mbrojtjen e mjedisit, përmes këtij akti të pa paralajmëruar dhe të pa arsyeshëm komuna shkel misionin e vet për mbrojtjen e ambientit, duke u shndërruar në shkatërrues legal të mjedisit.

Në bazë të Rregullores për Mbrojtjen e Mjedisit, Komuna ka për obligim mbrojtjen e pamjeve të vlefshme natyrore, ruajtjen dhe rehabilitimin e vlerave kulturore dhe estetike të peizazhit të qytetit. Shqetësues është fakti se Drejtoria për Shërbime Publike për prerjen e këtyre drunjve nuk është koordinuar me Drejtorin e Urbanizmit dhe Mbrojtjes së Mjedisit, që me ligjin për planifikimin hapësinor është edhe përgjegjëse për vlerësimin e të gjitha aktiviteteve të planifikuara dhe ndikimin e tyre në pamjen e qytetit. Kurse për aksionin e djeshëm për prerjen e drunjve Drejtoria e Urbanizmit dhe Ambientit nuk ka qenë e informuar.

Procesi i prerjes së këtyre drunjve me madhësi shumë të madhe përpos që ka neglizhuar opinionin e këshilltarëve komunal, inspektoratin e pyjeve, Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Agjencinë e Pyjeve ai është shoqëruar edhe me masa të dobëta të sigurisë. Drejtoria për shërbime publike që arsyetohej se prerjen e drunjve po e bënë për sigurinë e qytetarëve, nuk i kishte njoftuar qytetarët përmes shpalljes publike për bllokimin e rrugës “Ahmet Kaçiku” e cila është një ndër rrugët më të frekuentuara në qytet. Po ashtu gjatë këtij aksioni hapësira ishte e rrethuar vetëm me një shirit të hollë i cili supozohej se ishte aty për “mbrojtjen e qytetarëve”.

INPO i përkujton Drejtorisë për Shërbime Publike se kriteret për prerjen e drunjve në vendet europiane janë shumë të ashpra dhe përfshijnë vetëm rastet kur një dru me të vërtetë paraqet rrezik për atë hapësirë, kur është i dëmtuar deri në atë masë dhe nuk mund të rikuperohet në asnjë mënyrë të mundshme, në rastet kur në atë hapësirë do të ndërtohet ndonjë objekt dhe nuk mund të zhvillohen punimet për shkak se drunjtë pengojnë, kështu që në këtë rast ne i bëjmë thirrje komunës së Ferizajt që nëse është duke planifikuar që në hapësirën ku janë prerë drunjtë të ndërtojë ndonjë objekt, të paraqesin haptazi planin e tyre para qytetarëve dhe të mos arsyetohen se prerja e drunjve ka ndodhur si rezultat i rrezikshmërisë për qytetarët.

Prandaj në këtë situatë, në vend që komuna t’i kultivojë dhe të përkujdeset për mirëmbajtjen e drunjve brenda qytetit, me veprime të këtilla të momentit, që nuk mbështeten në parimet e mbrojtjes së mjedisit, po i shkatërron drunjtë duke dhënë një shembull shumë të keq për prerësit ilegal, kur dihet se Komuna e Ferizajt e ka humbur betejën me prerësit ilegal të pyjeve të zonave malore të qytetit siç është Nerodimja dhe Jezerci.

INPO është duke shqyrtuar mundësinë e ngritjes së një padie ndaj personave juridik të cilët urdhëruan zbatimin e këtij aksioni degradues.