Debati: “Trajtimi i pacientëve me dializë”

13/07/2011

INPO në kuadër të projektit për “ Promovim të Transparencës dhe Llogaridhënies së Institucioneve Publike” organizoi tryezën me temë: “Trajtimi i pacientëve me dializë” në Ferizaj.
Në këtë debat morën pjesë: Dr. Gëzim Bajrami, drejtor në spitalin e Ferizajt, Dr. Mufail Hasani, shef i repartit të hemodializës, Reshat Gashi – Drejtor i Drejtorisë së Shëndetësisë në Komunën e Shtimes, Safet Bushi – Drejtori i Drejtorisë në Komunën e Hanit të Elezit etj. Në ketë tryezë ishin të ftuar edhe përfaqësues të Drejtorisë së Shëndetësisë në Ferizaj dhe Ministrisë së Shëndetësisë.

Ky debat në fokus kishte problematikën e trajtimit shëndetësor të pacientëve me hemodializë nga rajoni i Ferizajt. Tetë pacientë të Komunës së Kaçanikut, pesë pacientë të Komunës së Shtimës dhe 2 pacientë të Komunës së Hanit të Elezit deri më tani nuk kanë kryer dializën në spitalin e Ferizajt. Ata kanë udhëtuar për ta kryer këtë shërbim shëndetësor në spitalin e Gjilanit dhe të Prishtinës.
Drejtori i Spitalit në Ferizaj Gëzim Bajrami tha se në mungesë të stafit shëndetësor ata janë të detyruar që të mos u ofrojnë trajtim këtyre pacientëve në spitalin e Ferizajt. Dr. Bajrami tha se aktualisht nuk ka mundësi për rritjen e stafit mjekësorë.
Dr. Mufail Hasani shef i repartit të hemodializës tha së 11 mijë shërbime të hemodializës janë kryer për dy vite të funksionimit të këtij reparti, funksionojnë 15 aparate por në mungesë të stafit ky repart punon me një ndërrim dhe nuk mund të përfshihen edhe pacientët e komunave fqinje.
Dr Reshat Gashi Drejtor i Drejtorisë së Shëndetësisë në Komunën e Shtimes tha se do të shqyrtohet mundësi për gjetjen e stafit mjekësor nga kjo komunë të cilët do të trajnoheshin për kryerjen e shërbimeve dhe do ti sjellnin pacientët në Ferizaj. Ai tha së aktualisht pesë pacientët nga kjo komunë trajtimin e sëmundjes e kryejnë në Prishtinë.
Tash e tutje dy pacientët e Komunës së Hanit të Elezit trajtimin e sëmundjes së tyre do ta kryejnë në Ferizaj. Kjo marrëveshje u arrit në debatin e sotëm pas kërkesës së Drejtorit të Drejtorisë së Shëndetësisë së Komunës së Hanit të Elezit Safet Bushi drejtuar strukturave udhëheqëse të spitalit të Ferizajt dhe në pajtueshmëri nga përfaqësues të komunave tjera shëndetësore.
Rekomandimet:
1. Hulumtimi i kapaciteteve aktuale të spitalit rajonal në Ferizaj dhe të llogaritet kostoja për rritjen e numrit të pacientëve të cilët duhet të trajtohen në spitalin e Ferizajt.
2. Komuna e Kaçanikut, Shtimes, Hanit të Elezit dhe Shtërpcës të ofrojë mbështetje teknike për personel të ri në spitalin rajonal në Ferizaj.
3. Të dërgohet një letër Ministrisë së Shëndetësisë, Ministrisë së Administrimitdhe Pushtetit Lokal dhe Asociacionit të Komunave ku do të kërkohet zgjedhja e kësaj problematike.