Dalja në votime deri në ora 17:00 dhe mbarëvajtja e procesit zgjedhor

29/04/2012

Raport paraprak përmbledhës. Detajet për secilën çështje të identifikuar do të jepen në raportet me të detaizuara që do të përgatiten pas procesit të votimit)

Rreth 22,000 votues të rregullt kanë dalë në zgjedhje deri në ora 17:00 (23% të trupit zgjedhor) ndërsa me kusht kanë votuar rreth 350 votues (1.6%). Dalja më e lartë ishte 35% të votuesve dhe më e ulëta 9%. Në zonat e qytetit, dalja mesatare ishte 165 (21.5%) votues, dhe në zonat jashtë qytetit 191 (24.7%).

Zgjedhjet në përgjithësi kanë vazhduar në menyrë të qetë dhe nuk ka pasur incidente të rënda. Megjithatë, gjatë orëve që lam pas, janë verejtuar disa shkelje në disa qendra të votimit.

Në Nerodime është parë vetura e tipit Audi 80 ngjyrë, e kuqe, që kishte hyre ne oborrin e qendrës së vendvotimit, ku ishin të vendosur posterë te kandidatit të PDK-së. Veprimet e tilla bien në kundërshtimi me heshtjen zgjedhore si dhe ndalimin e propagandimimit të materialeve te partive politike ne ditën e zgjedhjeve.

Në fshatin Zaskok dhe në fshatin Pleshinë janë vërejtur vetura te tipit xhip me regjistrim 01 që qëndrojnë për kohë të gjatë para shkollave.

Në shkollën Ahmet Hoxha, persona të shumtë kanë krijuar tensione duke qendruar nëpër korridore dhe duke ushtruar presion indirekt mbi votues. PDK-ja u ka shpërndarë zyrtarëve të shkollës ushqime të ndryshme gjatë kësaj periudhe. Në vendvotimin numër 10 në Shkollën Ahmet Hoxha janë mbledhur një grup prej rreth 25 personave që ushtrojnë presion ndaj votuesve. Pas intervenimit tonë tek drejtori i shkollës, ata përkohësisht janë larguar dhe nuk iu është lejuar votimi. Më vonë kanë vazhduar presionet nga grupe më të vogla.

Në Shkollën Bujqësore, një person ka insistuar të votojë edhe pse pranë emrit të tij kishte nënshkrim. Komisionerët ishin të sigurtë që asnjë person nuk është lejuar të votojë pa iu kontrolluar letërnjoftimi dhe pa iu verifikuar data e lindjes. Në ndihmë erdhën zyrtarët e KKZ-së si dhe zyrtarët e KQZ-së nga Prishtina. Zyrtari nga Prishtina i KQZ-së tentonte të lejojë votuesin që të votojë dhe jepte sugjerime për të zgjidhur problemin në mënyrë që nuk parashihet me asnjë procedurë. Ai rekomandonte që të lejohet të votojë ky votues (edhe pse pranë emrit të tij ishte shënuar një nënshkrim). Sugjerimi i zyrtarëve të KQZ-së qartazi ishte shkelje dhe kjo ju bë me dije nga vëzhguesit tanë.

Në Softaj (vendvotimi numër 1), vëzhguesit kanë identifikuar votim me indeksa studentorë në vendvotimin 01R qendra 2526D në ora 17:15. Indeksi nuk paraqet dokument zyrtar te identifikimi dhe është shkelje e rëndë. Në qendrën e votimit 2507D/05R në shkollën “Jeta e Re” një person ka votuar me certifikatë të lindjes.

Prania e personave të paautorizuar është shqetësuese në disa zona. Në fashatin Dardani dhe në Mirash janë vërejtur nje numër i madh i personave të paautorizuar. Prania e tyre e panevojshme mund ta dëmtojë procesin zgjedhor. Në shumë shkolla ka persona me bexha të vëzhguesve që krijojnë tollovi nëpër korridore. Në shkollën Pjetër Bogdani në qytet drejtori i shkollës ka ndarë një kthinë për vëzhguesit e PDK-së, dhe kjo duket të jetë edhe në pjesë tjera.

Në disa vendvotime kanë munguar komisionerët. Në vendvotimin 2523D/03R, nga shtatë komisionerë sa duhet të jenë gjithsejt, kanë qenë vetëm dy në detyrë. Numri i komisionerëve ka qenë i mangët pothuajse tërë pasditën. Në qendrën e votimit 2507D 01R në shkollën “Jeta e Re” , prej orës 12:15 deri 12:35 komisionerët e kanë lëshuar vendvotimin.