“Bredhi me dhurata i qytetarëve për politikanët komunal’’

23/12/2011

Prishtinë, 23 dhjetor 2011- Sot organizata Iniciativa për Progres (INPO) me rastin e përfundimit të vitit, ku të gjithë institucionet bëjnë një rikapitulim të punës dhe aktiviteteve të vitit paraprak, realizoi një performancë simbolike në sheshin Nëna Terezë për të rikujtuar institucionet publike të pushtetit lokal me problemet që përballen qytetarët e vendit dhe me përgjegjësitë që qytetarët u kanë besuar atyre dhe rrjedhimisht rezultatet që presin prej tyre.

Simbolika e bredhit të vendosur në sheshin Nëna Terezë qëndron në faktin se institucionet publike besimin e pushtetit të deleguar nga qytetarët po e konsiderojnë si mundësi për përfitime dhe jo përgjegjësi ndaj tyre; votat e tyre po i konsiderojnë si shpërblim e jo kontratë me qytetarin për të ju ofruar shërbime më të mira publike. Dhe më shqetësuesje, mënyra e menaxhimit të taksave që qytetarët u paguajnë institucioneve publike. Në këtë mënyrë ironizohet me filozofinë e funksionimit të institucioneve publike dhe qasjen ndaj qytetarëve, duke krahasuar premtimet dhe pritjet e qytetarëve me realizimin në praktikë.

Poshtë bredhit në mënyrë simbolike janë vendosur “dhuratat” e qytetarëve për politikanët e zgjedhur. Në anën tjetër bredhi është “zbukuruar” me premtimet e politikanëve. Në këtë mënyrë duke treguar sa diferenca të mëdha janë mes këtyre dy koncepteve.

Dhuratat e shprehura si në vijim, nuk është se u janë ofruar qeveritarëve nga qytetarët, mirëpo të parët i konsiderojnë si të ishin të tilla:

1. Votat e qytetarëve;

2. Besimi me qeverisë me qytetin e tyre;

3. Paratë e qytetarëve në formë të taksave;

4. Shpenzimet e luksit për stafin e institucioneve publike.

Ndërsa një synim tjetër i performancës ishin edhe qytetarët. Kjo me qëllim që t’i vetëdijësojë qytetarët për rëndësinë e një qytetarie aktive, ajo e cila kërkon përgjegjësi nga personat të cilët i ka votuar, kërkon transparencë për mënyrën se si u shpenzohen paratë e tyre dhe projektet të cilat realizohen dhe për më tepër monitoron punën e organeve të cilat i ka zgjedhur.

INPO gjithashtu do të ju dërgoj nga një letër të gjithë kryetarëve të komunave ku do të rikujtojë gjendjen dhe problemet e vështira me të cilat përballen qytetarët dhe premtimet që ata u kishin dhënë qytetarëve para marrjes së pushtetit. Gjithashtu, me anë të kësaj letre dëshirojmë t’ua rikujtojmë se qytetarët u kanë dhënë votën e tyre, votë kjo e cila përfaqëson besimin që ata të qeverisin qytetin e tyre, me paratë që qytetarët kanë paguar përmes taksave. Prandaj ju është kërkuar që të përmbushin premtimet e tyre, të tilla si: rritje e vendeve të punës, përmirësimin e cilësisë së arsimit në komuna, shërbime shëndetësorë më të mira, lirim të hapësirave publike, më shumë sipërfaqe të gjelbëruara, prokurim publik efikas, etj.