Bllokimi i trotuareve vështirëson jetën normale të qytetarëve në Ferizaj

04/02/2013

Ferizaj, 04 Shkurt 2013. Përderisa në qytetet normale trotuaret janë në shërbim të qytetarëve duke u mundësuar atyre që të ecin lirshëm dhe të pa rrezikuar nga veturat, si duket në Ferizaj po ndodh e kundërta, trotuaret janë kthyer në shërbim të veturave. Me ngritjen e numrit të aksidenteve të trafikut në komunën tonë, INPO ka ndërrmar një hap për të parë se në çfarë gjendje është siguria e këmbësorëve, në veçanti në hapësirat për këmbësorët siç janë trotuaret. Shumë rrugë nuk kanë fare trotuare, ndërsa edhe ato pak trotuare që janë në rrugët e Ferizajt nuk janë në gjendje të mirë dhe janë kthyer në hapësira për tregti dhe parkingje.

Përgjegjësia mbi situatën e krijuar i takon drejtëpërdrejtë komunës së Ferizajt, e cila është e obliguar që të marrë të gjitha masat e nevojshme për të garantuar sigurinë e qytetarëve dhe zbatimin e ligjit për sigurinë në komunikacion, neni 35 dhe 36 parasheh rregullimin e trotuareve dhe mënyrën e shfrytëzimit të tyre. Sipas neneve të lartë përmendura komuna e Ferizajt është e obliguar që në rrugë, trotuar dhe në brezin mbrojtës të rrugës të mos lejoj lënien e mjeteve të dëmtuara, të papërdorura, të paregjistruara, të sendeve, materialit ose të gjërave të ngjashme si dhe hedhjen e mbeturinave që mund të pengojnë ose rrezikojnë komunikacionin. Gjithashtu, Kuvendet Komunale mund të lejojnë shfrytëzimin e pjesës së trotuarit (rrethoja, tavolina,ulëse, kioska ose të ngjashme) me kusht që të mos zvogëlohet dukshmëria e rrugës dhe që lëvizja e këmbësorëve të jetë e papenguar dhe e sigurt duke ju lënë hapësirë të trotuarit me gjerësi prej së paku 1,5 metra.

Trotuaret më të bllokuara në rrugët e qytetit janë në rrugën Vëllezërit Gërvalla, rrugën 12 qershori, rrugën e Gjilanit-Braim Ademi dhe rrugën Latif Hasani(mbrapa Postës).

INPO i rekomandon komunës së Ferizajt që:
1. Të mbajë takime të rregullta me policinë dhe të kërkojë ndëshkimin dhe heqjen e automjeteve nga trotuaret.
2. Të kërkojë nga inspeksioni dhe kompanitë përgjegjëse heqjen e bërllogut dhe pengesave të tjera që janë të vendosura nëpër trotuare.
3. Të siguroj hapësirën e paraparë të trotuareve prej 1.5m ashtu siç është e përcaktuar me ligj.
4. Të inspektoj dhe riparoj trotuaret aty ku janë dëmtuar.