Raporti i monitorimit ‘’komuna e Ferizajt, Janar-Qershor 2012’’
07/08/2012Ferizaj, 07 gusht 2012 – Politikat që i bënë komuna e Ferizajt dhe vendimet që i merr prekin interesat e një numri të madh të qytetarëve. Duke pasur parasysh se komuna ekziston që t’iu përgjigjet interesave dhe t’ju shërbej nevojave të qytetarëve dhe se menaxhimi i mirë me komunën nuk është proces i lehtë, komuna e Ferizajt si njëra prej shtatë njësive më të mëdha dhe më të rëndësishme të Vetëqeverisjes Lokale në Kosovë, luan një rol mjaftë të rëndësishëm për vlerësimin e suksesit të qeverisjes lokale në Kosovë.
Mirëpo edhe me gjithë këtë rol me rëndësi dhe obligime të komunës ndaj qytetarëve edhe më tutje Komuna e Ferizajt vazhdon të përballet më probleme të ndryshme si: me mos përmbushjen e kërkesave të qytetarëve, pjesëmarrjen e ulët të qytetarëve në vendimmarrje, menaxhim jo të mirë më buxhetin, transparenca dhe llogaridhënia nuk përfillen nga disa zyrtarë komunal që si rezultat fajësohet e tërë komuna nga publiku, kurse edhe ato pak tubime publike që organizohen mbahen për qëllime fushatash, madje ka edhe raste kur në dëgjimet publike vjen vetëm një qytetarë.
Raporti i monitorimit për Komunën e Ferizajt pasqyron gjetjet kryesore, analizat dhe rekomandimet e dala nga procesi i monitorimit të punës së komunës së Ferizajt. Gjatë kësaj periudhe janë monitoruar nga afër të gjitha segmentet e punës së administratës komunale duke filluar që nga puna e drejtorive, zgjedhjet për kryetarin, puna e kuvendit komunal e deri tek puna e ndërmarrjeve publike.
Hartimi i këtij raporti është bërë duke përdorur metodën kuantitative, elemente të metodës kualitative dhe metodës krahasuese. Raporti bazohet në një analizë të thellë të dokumenteve relevante, përfshirë këtu legjislacionin aktual që rregullon veprimtarinë e komunave, buxhetet vjetore dhe raportet e ndryshme financiare, projektet kapitale, statutin e komunës së Ferizajt, rregulloret që ka nxjerr kuvendi komunal i Ferizajt, intervistat me drejtorët e drejtorive të komunës dhe personelin në përgjithësi.
Për më tepër tashmë INPO ka zhvilluar edhe metodologjinë e vet të monitorimit të komunave, ku ka të angazhuar monitorues, detyra e të cilëve është që të monitorojnë aktivitetin dhe efikasitetin e punës së ekzekutivit të komunës dhe asamblesë komunale në kuadër të parimeve të qeverisjes së mirë. Kështu që të dhënat që janë mbledhur nga raportet e monitorimit shërbejnë si të dhëna primare për hartimin e këtij raporti.
Duke qenë një gjashtëmujor i dy sfidave të mëdha të asaj të emergjencës për shkak të motit të ligë si dhe të zgjedhjeve të jashtëzakonshme të përcjellura me vonesat e aprovimit të buxhetit, INPO ka vlerësuar se performanca e qeverisjes lokale në këtë periudhë ka pasur një rënie në shumë parametra të saj. E përqendruar në procesin zgjedhor qeveria komunale ka lejuar të krijohen boshllëqe në punën e saj që është reflektuar në një situatë ku gjatë kësaj periudhe është shfrytëzuar vetëm 33 përqind e buxhetit, ndërkaq ngecje të mëdha janë shënuar edhe në shfrytëzimin investimeve kapitale. Në anën tjetër kemi pasur një paralizë të kuvendit komunal, gjë që është reflektuar drejtpërdrejtë në interesin e qytetarëve.
Sa i përket respektimit të parimeve të qeverisjes së mirë INPO vlerëson se komuna e Ferizajt ka shënuar progres të përzier. Zyra përgjegjëse për informim në mënyrë të rregullt ka njoftuar publikun për mbajtjen e mbledhjeve brenda afatit ligjor. Institucionet komunale kanë shënuar progres sa i përket llogaridhënies administrative, por jo të gjithë drejtorët e drejtorive komunale kanë qenë të pranishëm në mbledhjet e KPF-së për t’i dhënë sqarimet e nevojshme këshilltarëve komunal si dhe gjatë mbledhjeve të kuvendit komunal jo të gjihtë drejtorët kanë përgatitur materialet e nevojshme dhe ia kanë dorëzuar paraprakisht këshilltarëve komunal si dhe i janë përgjigjur pyetjeve që këshilltarët komunal i kanë pasur gjatë mbledhjeve në lidhje me veprimtarinë e drejtorive.
Komuna e Ferizajt për këtë gjashtëmujor ka pranuar gjithsej 13 kërkesa për qasje në dokumente publike. Prej 13 kërkesave të pranuara, 9 prej tyre kanë marr përgjigje pozitive, 1 kërkesë është akoma në proces e sipër, kurse 3 janë refuzuar. Për INPO-n janë shqetësuese arsyet e refuzimit të kërkesave, siq ishte rasti me refuzimin e kërkesës së INPO-s për qasje në qasje në Raportin për gjendjen mjedisore të komunës të vitit 2010 dhe 2011. Kërkesa e INPO-s është refuzuar me arsyetimin se Plani lokal i veprimit në mjedis është publikuar në web-faqen e komunës. Por INPO vlerëson se arsyetimi ishte i pabazë dhe nuk kishte të bëjë me dokumentin të cilin INPO e ka kërkuar.
Të gjeturat e INPO-s edhe për funksionimin e shumicës së drejtorive komunale flasin për një mospërmbushje të detyrave, duke lënë shumëçka për të dëshiruar si në aspektin e transparencës ashtu edhe të llogaridhënies. Edhe funksionimi i bashkësive lokale nuk është i kënaqshëm, kur zyrat e gjendjes civile nuk po funksionojnë siç duhet dhe po e ushtrojnë veprimtarinë e tyre në kushte jo adekuate për punë.
INPO gjatë kësaj periudhe ka monitoruar tërë procesin zgjedhor dhe me kohë ka paraqitur të gjitha vërejtjet e saja të bëra publike në raportet e veçanta e disa prej tyre janë përfshirë edhe në këtë raport. Përkundër rrjedhës së qetë të zgjedhjeve INPO ka shënuar shumë defekte në proces dhe konkludon se mbeten shumë detyra për organet gjegjëse për t’i evituar ato për të pasur një sistem sa më të përsosur zgjedhor.
Edhe KPF nuk ka arritur që të kryej funksionin e vet siq duhet pasi që gjatë fushatës zgjedhore ka pauzuar. INPO ka vërejtur se ky pauzim ka qenë i panevojshëm dhe krejtësisht i dëmshëm, sepse përkundër mungesës së kryetarit, KPF-ja dhe KK-ja kanë mundur t’i kryejnë punët e tyre dhe të mos vije deri te një stagnim institucional. Po ashtu për shkak të kalimit të anëtarit të këtij Komiteti nga radhët e LDK-së, Avdullah Hoxhës në radhët e PDK-së, nuk janë gjetur dhe as shfrytëzuar rrugët ligjore për zëvendësimin dhe kompletimin sa më të shpejt të Komitetit me anëtar të ri. Gjatë kësaj kohe janë marrë shumë vendime në KPF me një mbizotërim të plotë të pozitës.
Sa i përket mardhënieve mes ekzekutivit dhe legjislativit, bazuar në funksionimin kuvendit komunal dhe nga prizmi i këtyre raporteve INPO konstaton se ende kuvendi shikohet vetëm si vendi ku duhet ngritur gishtat për çështjet që propozon ekzekutivi dhe jo si vendi ku edhe të lindin politikat. Roli i këshilltarëve komunal është rrudhur deri në masën që ata nuk janë më subjekt krijues, aktiv por për më shumë janë objekte dhe numra. Po thuaj asnjë nga rregulloret dhe pikat e rendit nuk propozohen nga këshilltarët por vetëm nga KPF-ja e cila punon në ndikimin e drejtorive dhe të kryetarit.
Përmbledhja e rekomandimeve kryesore :
1. Rekomandojmë që pushteti lokal të krijojë plane operative për situatat urgjente; vonesën e aprovimit të buxheti; situatat emergjente të shkaktuara nga natyra si dhe gjatë zgjedhjeve të imponuara të jashtëzakonshme.
2. INPO ka konstatuar rënien e performancës së qeverisjes gjatë zgjedhjeve andaj rekomandon që me kusht që të mos përsëriten këto dobësi që qeveria lokale të mbetet sa më larg këtyre zhvillimeve dhe të vazhdon t’i përmbush detyrat e saj ligjore.
3. Rekomandohet Drejtoria për Ekonomi dhe Financa që ndryshimet që prekin rrjedhat buxhetore të mos i bëjë në procedurë ad – hoc por ajo të jetë pjesë e strategjive buxhetore afatgjata dhe pjesë e komunikimeve të gjera.
4. Raportet mes Ekzekutivit dhe Legjislativit rekomandohet të marrin kualitet të ri ku duhet të fuqizohet roli i Kuvendit dhe i Këshilltarëve komunal.
5. Rekomandojmë që Drejtoria e Arsimit të bëjë analizë dinamike të suksesit të maturantëve ferizajas në procesin e regjistrimit në fakultete dhe nga aty për nxjerr rekomandime për avancimin procesit arsimor në komunën tonë
6. Mbetet detyrë e përhershme e komunës të fuqizojë ndikimin e vet te ndërmarrjet publike për t’i përmirësuar shërbimet ndaj qytetarëve.
Duke shprehur përcaktimin tonë që të punojmë një raport sa më objektiv dhe sa më analitik, shpresojmë që ky raport të mirëpritet dhe të pranohet si një vërejtje publike për t’i përmirësuar qasjen dhe përmbushjen e detyrave ligjore nga pushteti lokal.