Pas reagimit të INPO-së ndaj tenderit 56 milionësh: MKRS-së publikon procesverbalin e hapjes së tenderit, por jo edhe vendimin për fitues-in/it e kontratës

21/05/2025

INPO shpreh shqetësim që tenderi 56 milionësh i MKRS-së për “…ndërtimin dhe rindërtimin e stadiumeve në Ferizaj, Pejë, Prizren dhe Vushtrri” akoma nuk ka një epilog edhe pse kanë kaluar tashmë 133 ditë nga hapja e tenderit, procesverbali i të cilit u publikua vetëm pas reagimit publik të INPO-s. Sipas nenit 40 të Rregullorës për Prokurimin Publik, autoriteti kontraktues është i obliguar që të njoftojë për rezultatet e vlerësimit të ofertave brenda një periudhe jo më të gjatë se 30 ditë nga hapja e ofertave. Vetëm në raste të jashtëzakonshme dhe të arsyetuara, kjo periudhë mund të zgjatet edhe për 20 ditë të tjera.

Siç kemi thënë edhe në reagimin e kaluar, këto vonesa, përveçse bien ndesh me afatet ligjore të përcaktuara në Ligjin për Prokurimin Publik, krijojnë dyshime serioze mbi integritetin dhe transparencën e të gjithë procesit të prokurimit dhe mund të perceptohen si tregues të ndikimeve të jashtme apo presioneve të paligjshme, që synojnë orientimin e vendimit për fituesin apo për të arritur një rezultat të parapërcaktuar.

Integriteti dhe ligjshmëria e këtij tenderi cënohet edhe nga fakti se vazhdimi i validitetit të ofertave për këtë tender është bërë në kundërshtim me ligjin. INPO ka gjetur se vlefshmëria e validitetit ka qenë 90 ditë dhe ka skaduar më 8 prill 2025, ndërkaq MKRS-ja kërkesën për vazhdim të validitetit e ka bërë dy (2) ditë me vonesë, duke lënë edhe një afat prej pesë (5) ditësh që vazhdimi i validitetit të dorëzohet në Autoritet Kontraktues. Ligji i aplikueshëm për prokurimin publik, kërkon që zgjatja e validitetit të ofertave të bëhet para datës së skadimit dhe se e njëjta nuk mund të bëhet në mënyrë retroaktive. Sipas interpretimit të datës 22.11.2022 të Komisionit Rregullativ për Porkurimin Publik (KRPP), mos zbatimi i nenit 30.4 i Rregullores për Prokurim Publik, që e rregullon këtë çështje, klasifikohet si shkelje e rëndë ligjore.

Tutje, INPO vlerëson se kërkesa për zgjatje pas afatit dëmton seriozisht drejtësinë dhe ligjshmërinë e procesit. Procedurat e prokurimit duhet të jenë të qarta, të barabarta dhe të parashikueshme për të gjithë – ndryshe humbin kuptimin dhe besimin që duhet të garantojnë. Për këtë tender kanë ofertuar gjithsej 39 Operatorë Ekonomikë (OE). Ndërkaq MKRS-ja nuk e ka bërë publike informatën se sa prej OE-ve e kanë vazhduar validitetin e ofertave. Andaj, duke vepruar në këtë mënyrë MKRS-ja ka hapur rrugë për manipulime duke rrezikuar prishjen e një gare të ndershme dhe të barabartë mes OE-ve.

Andaj, INPO fton MKRS-në që:

  1. Të japë shpjegim zyrtar publik për vonesën prej mbi 133 ditësh në përfundimin e vlerësimit të ofertave, duke tejkaluar afatet e përcaktuara në nenin 40 të Rregullores për Prokurimin Publik.
  2. Të sqarojë motivet dhe bazën ligjore për kërkesën për zgjatjen e validitetit të ofertave pas skadimit të afatit, si dhe të bëjë publike listën e OE-ve që kanë vazhduar validitetin dhe atyre që nuk e kanë vazhduar validitetin e ofertave.
  3. Të ndërrmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore për të rikthyer ligjshmërinë dhe besimin në këtë aktivitet të prokurimit përfshirë masat disiplinore ndaj zyrtareve përgjegjës, nëse konstatohen shkelje të qëllimshme apo neglizhencë profesionale.

Po ashtu, ftojmë KRPP-në që të japë një interpretim zyrtar publik për vlefshmërinë ligjore të kërkesës për zgjatjen e validitetit pas skadimit të afatit dhe pasojat që kjo sjellë në procesin e tenderimit, si dhe të ndërmarr masa në përputhje me nenin 97 të Rregullores për Prokurimin Publik.