
INPO ngre shqetësime për mungesë transparence dhe ligjshmërie në prokurimin për menaxhimin e mbeturinave nga Komuna e Prishtinës
30/04/2025Iniciativa për Progres (INPO) ka identifikuar një sërë problemesh lidhur me veprimet e Komunës së Prishtinës në fushën e prokurimit për menaxhimin e mbeturinave, veçanërisht pas pezullimit të procedurës së hapur të nisur në nëntor 2024, me vlerë të parashikuar prej 16,500,000.00 euro.
Pas ankesës së paraqitur nga operatori ekonomik “KRM PASTRIMI” dhe pezullimit të aktivitetit nga Organi Shqyrtues i Prokurimit, Komuna ka nisur një procedurë të re për të njëjtin shërbim. Këtë herë, Komuna e Prishtinës ka përdorur procedurën e negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë, me vlerë të parashikuar prej 2,000,000.00 euro. INPO ka vërejtur se, ndonëse procedura ka avancuar, Komuna ende nuk e kapublikuar dosjen e tenderit në platformën elektronike të prokurimit publik, duke cenuar parimin e transparencës dhe llogaridhënies dhe në kundërshtim me dispozitat e Ligjit të Prokurimit Publik në Kosovë.
Përmes një kërkese për qasje në dokumente publike, INPO ka kërkuar informacion nga Komuna për arsyet e përdorimit të kësaj procedure dhe mungesën e publikimit të saj, si dhe dokumentacionin përkatës. Komuna nuk ka dhënë përgjigje të plotë dhe ka dorëzuar dokumentet vetëm pas ndërhyrjes së Agjencisë për Informim dhe Privatësi (AIP).
Nga analiza e dokumenteve, INPO ka konstatuar se përmbajtja e shërbimeve të kërkuara në procedurën e negociuar është identike me atë të procedurës së hapur. Kjo ngre dyshime serioze për ligjshmërinë e përdorimit të procedurës së negociuar, pasi nuk është dëshmuar ndonjë situatë e jashtëzakonshme ose emergjente që do ta justifikonte shmangien nga konkurrenca e hapur, siç kërkohet nga neni 35 i Ligjit për Prokurimin Publik.
Për më tepër, veprimet e Komunës janë në kundërshtim edhe me nenin 9 të Ligjit për Prokurimin Publik, që kërkon shqyrtimin e mundësisë për të kontraktuar shërbimet përmes ndërmarrjeve publike ekzistuese. Në këtë rast, “KRM PASTRIMI”, ku Komuna është aksionare, ka kapacitete për ofrimin e këtyre shërbimeve, prandaj përjashtimi i saj është i pajustifikuar dhe në dëm të interesit publik.
INPO kërkon që Komuna e Prishtinës të sigurojë transparencë të plotë për këtë procedurë dhe të japë shpjegime të qarta për arsyet e përdorimit të saj. Po ashtu, INPO inkurajon zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me ndërmarrjen “KRM PASTRIMI”, në mënyrë që qyteti të ketë një sistem të qëndrueshëm dhe të ligjshëm të menaxhimit të mbeturinave.
Së fundi, INPO i bën thirrje Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP) të ndërmarrë masa mbikëqyrëse dhe të kërkojë llogaridhënie nga Komuna e Prishtinës, për të garantuar zbatim të ligjit, transparencë dhe konkurrencë në prokurimin publik.