INPO kërkon anulimin dhe rishikimin e tenderit 4.98 milionë € të Komunës së Vushtrrisë për shkak të kritereve diskriminuese

28/04/2025

Iniciativa për Progres – INPO, pas një analize të kujdesshme dosjes së tenderit të shpallur nga Komuna e Vushtrrisë për projektin “Asfaltimi i Rrugëve në fshatra dhe qytet, Projekt 3 vjeqar”, me një vlerë të parashikuar prej 4,980,282.58€, shpreh shqetësimin e saj mbi vendosjen e disa kriterieve teknike dhe kërkesave për certifikime që janë diskriminuese, joproporcionale dhe jo të lidhura drejtëpërdrejt me objektin e kontratës.

Pas publikimit të dosjes së tenderit, INPO ka adresuar një reagim të brendshëm ndaj Autoritetit Kontraktues.

INPO ka gjetur se Komuna e Vushtrrisë në këtë aktivitet ka inicuar disa aktivitete që në Planin Vjetor të Prokurimit për vitin 2025 janë planifikuar si aktivitete të ndara. Ky bashkim i disa aktiviteteve në një procedurë të vetme prokurimi nuk është në përputhje me parimet e planifikimit, krijon paqartësi, rrezikon transparencën dhe kufizon konkurrencën, duke rritur potencialin për keqpërdorim.

Afati fillestar për pranimin e ofertave, fillimisht i caktuar deri më 22 maj 2025, është shkurtuar pa asnjë arsyetim deri më 30 prill 2025, duke ulur afatin efektiv në vetëm 19 ditë, në kundërshtim me kërkesat ligjore dhe në dëm të përgatitjes së duhur të operatorëve ekonomikë.

Për më tepër, dosja e tenderit përmban kërkesa joproporcionale dhe diskriminuese tek kapacitetet teknike dhe profesionale, të cilat rrezikojnë barazinë në garë dhe favorizojnë operatorë të caktuar, duke cenuar kështu parimet e transparencës dhe konkurrencës së drejtë.

Në analizë të dosjes së tenderit për aktivitetin e prokurimit për ndërtimin e rrugëve, janë identifikuar disa kërkesa për kualifikim që tejkalojnë parimin e proporcionalitetit dhe nuk lidhen drejtpërdrejt me objektin e kontratës, duke kufizuar kështu konkurrencën në mënyrë të pajustifikuar, në kundërshtim me nenin 28 të Ligjit Nr. 04/L-042 për Prokurimin Publik.

Pavarësisht se INPO ka adresuar këto shqetësime drejtpërdrejtë dhe në kohë, Autoriteti Kontraktues nuk i ka marrë parasysh rekomandimet tona. Vlen të theksohet se pretendime të ngjashme janë ngritur edhe nga dy Operatorë Ekonomikë të interesuar, të cilët përmes kërkesave për rishqyrtim kanë kërkuar uljen e kritereve dhe rishikimin e dosjes tenderit, duke konfirmuar se kërkesat aktuale janë të papërballueshme dhe kufizuese për garën e ndershme, por kërkesat e tyre janë refuzuar nga ana e Autoritetit

Në veçanti, dosja e tenderit përmbanë:

  • Kërkesat 2.2, 2.4 dhe 2.6, ku kërkohet që inxhinierët të posedojnë numër të madh certifikatash shumë specifike dhe dhe të kombinuara, që përbëjnë kriter të lartë dhe të pa arsyeshëm.
  • Kërkesën për një (1) inxhinier të diplomuar ose me master në drejtimin e elektros, i cili duhet të jetë njëkohësisht i certifikuar për Siguri dhe Shëndet në Punë, i certifikuar për Mbrojtje nga Zjarri dhe i certifikuar si Auditor i Energjisë në Ndërtesa dhe Ndriçim Publik. Kjo kërkesë konsiderohet tejet specifike dhe e paarsyeshme. Sipas të Ligjit Nr. 04/L-042 për Prokurimin Publik, kërkesat për kualifikim duhet të jenë proporcionale dhe të kenë lidhje të drejtpërdrejtë me objektin e kontratës. Në këtë rast, aktiviteti i prokurimit ka të bëjë me ndërtimin e rrugëve dhe jo me ndërtesa apo ndriçim publik, prandaj kërkesa për një certifikim si auditor i energjisë në ndërtesa e ndriçim publik është jorelevante dhe e pajustifikueshme për natyrën e kontratës.
  • Kërkesat për standardet ISO 27001:2013, ISO 4063:2023, ISO 3834-2:2021 nuk janë të justifikuara me natyrën e projektit për ndërtimin e rrugëve, pasi ato lidhen me fusha të tjera si siguria e informacionit, proceset e saldimit metalik dhe menaxhimi i zinxhirit të furnizimit. Vendosja e tyre e panevojshme mund të kufizojë konkurrencën dhe të paraqesë barriera të pajustifikuara për operatorët ekonomikë.
  • Kërkesat për standardin OHSAS 28001:2007 që në fakt është standard i shuar dhe i zëvendësuar tashmë me standardin ISO 45001:2018.

Duke pasur parasysh të gjitha sa më sipër, INPO kërkon nga Komuna e Vushtrrisë që:

  1. Të anulojë këtë aktivitet të prokurimit dhe ta inicoj sic është paraparë në planifikimin e prokurimit dhe të mos përmbaj kritere diskriminuese.
  2. Ose, të bëjë ndryshime urgjente në dokumentet e tenderit, duke eliminuar kriteret joproporcionale dhe të paarsyetuara që kufizojnë konkurrencën.