INPO avokon me sukses në përmirësimin e dosjes së tenderit për identifikimin dhe regjistrimin e pronave në Komunën e Prizrenit

11/11/2024

Në kuadër të monitorimit sistematik të prokurimit publik, Organizata INPO ka identifikuar se në aktivitetin e prokurimit të Komunës së Prizrenit me titull “Identifikimi dhe regjistrimi i pronave të paluajtshme të reja, si dhe verifikimi i pronave aktuale në Komunën e Prizrenit për përmbushjen e objektivave për tatimin në pronë”, mungonin specifikimet teknike të detyrueshme. Ky aktivitet, me afat kohor prej 1 viti dhe vlerë të parashikuar prej 500,000.00 euro, do të duhej të përmbante qartësi të plotë në specifikime teknike për të garantuar zbatimin efektiv dhe të qëndrueshëm të kontratës.

Duke vlerësuar rëndësinë e shërbimeve që ofrohen përmes kësaj kontrate, si dhe duke marrë në konsideratë paqartësitë që mund të lindin për shkak të mungesës së specifikimeve të detyrueshme teknike, INPO ka kërkuar nga Komuna e Prizrenit përmirësimin e dosjes së tenderit. Kjo ndërhyrje kishte për qëllim garantimin e një evidentimi të saktë dhe efektiv të pronave komunale, si dhe përmbushjen e standardeve të larta të transparencës dhe përgjegjshmërisë.

Pas komunikimeve të realizuara ndërmjet INPO dhe Komunës së Prizrenit, kjo e fundit ka plotësuar dosjen e tenderit me specifikimet teknike të detyrueshme. INPO vlerëson bashkëpunimin me Komunën e Prizrenit dhe inkurajon institucionet që të sigurojnë përputhjen e plotë të dokumenteve të prokurimit me kërkesat ligjore dhe praktikat më të mira, për të garantuar efektivitetin dhe qëndrueshmërinë e shërbimeve që ofrohen për qytetarët.

#transparencapublike #prokurimi #integritetikomunave #rockfellerbrothersfund #INPO #komunatnëkosovë