Reagim ndaj procedurave të tenderimit për Parkun Industrial në Livadicë, Podujevë
24/09/2024Iniciativa për Progres (INPO) ka identifikuar shkelje procedurale me rastin e vlerësimit dhe njoftimit të palëve pjesëmarrëse në procesin e tenderimit “Ndërtimin e Infrastrukturës në Parku Industrial në Livadicë, Podujevë” aktivitet i shpallur nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) më datë 05.06.2024 dhe me vlerë të parashikuar 3,882,152.00€.
MINT në cilësinë e autoritetit kontraktues (AK), ka dështuar të nxjerrë në kohë vendimin për rezultatet e vlerësimit të ofertave në këtë proces tenderimi. Ky vendim është nxjerrë dhe publikuar pas 71 ditëve, dhe vetëm pas kërkesës së INPO-së drejtuar kësaj ministrie, pavarësisht që kjo do duhej bërë ex officio, sipas nenit 54 të Ligjit për Prokurim Publik, nenit 40 par.3 dhe 45 par.32 të Rregullores për Prokurim Publik.
Referuar këtyre dispozitave, kurdo që një autoritet kontraktues eliminon një kandidat ose tenderues nga pjesëmarrja e mëtutjeshme në aktivitetin e prokurimit, autoriteti i tillë kontraktues duhet që menjëherë të njoftojë kandidatin ose tenderuesin me shkrim mbi këtë fakt. Njoftimi mbi vendimin e autoritetit për ekzaminimin, vlerësimin dhe krahasimin e tenderëve duhet të kryhet brenda periudhës më të shkurtër, jo më shumë se 30 ditë nga hapja e ofertave (neni 40 i Rregullores). Pas miratimit të raportit vlerësues nga ZPP, AK do të përgatitë dhe publikoj Formularin B58 Njoftimin mbi vendimin e AK në platformën e prokurimit elektronik.
Lidhur me këtë, konisderojmë se moszbatimi efikas i procedurave të vlerësimit dhe publikimit të njoftimit krijon vështirësi për operatorët ekonomikë në njohjen e rezultateve të hapjes së ofertave dhe statusin e lëndëve të tyre. Prandaj, INPO kërkon që MINT të rishikojë këto praktika në mënyrë që të sigurojë informim të plotë për të gjitha palët e interesuara, si dhe të evitoj zvarritjen e procedurave të prokurimit.
INPO do të vazhdojë të monitorojë këtë proces dhe të ofrojë mbështetje për të siguruar një prokurim publik të drejtë dhe të hapur.