Reagim ndaj vendimit të Qeverisë për ngritjen e pagës minimale pa konsultim publik gjithëpërfshirës
18/09/2024Prishtinë, 18 shtator 2024 – Iniciativa per Progres (INPO) ka analizuar ndikimin e vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për rritjen e pagës minimale në kontekstin e zbatimit të kontratave të prokurimit publik.
Megjithëse INPO përkrah rritjen e pagës minimale dhe çdo politikë tjetër e cila i kontribuon përmirësimit të kushteve të jetesës së qytetarëve, shikuar nga një perspektivë tjetër, ky vendim mund të ketë një ndikim të theksuar në veprimtarinë e operatorëve ekonomik të cilët kanë të lidhura kontrata për shërbime me autoritetet kontraktuese.
Në këtë kuadër, ndryshimi i pagës minimale ka gjasa të prodhoj efekte të rëndësishme për subjektet ekonomike të cilët kanë paraqitur oferta në tenderë, duke u bazuar në pagën minimale të mëparshme në përllogaritjet e tyre financiare. Në kontekstin e tanishëm, ndryshimi i papritur i pagës minimale mund të sjellë një diferencë të konsiderueshme të kostos operative dhe të rris barrën financiare në ekzekutimin e kontratave, duke e bërë më të vështirë përmbushjen e detyrimeve kontraktuale.
Nga analiza një numri kontratash kornizë për shërbime për të parë nëse politikat e reja të Qeverisë mund të implikojnë detyrime financiare shtesë për bizneset që janë në marrëdhënie kontraktuale me autoritetet kontraktuese, INPO ka kuptuar për efektet e këtyre ndryshimeve në zbatimin e kontratave. Shembujt e analizuar nga kontratat për shërbime tregojnë se pagat e planifikuara në shumën ekuivalente të pagës minimale të mëparshme, në rrethanat e tanishme të rritjes së përcaktuar nga qeveria do të rezultojnë me kosto shtesë për operatorët ekonomik të cilët kanë kontrata aktive.
Nga këndvështrimi i operatorëve ekonomik me të cilët INPO ka zhvilluar diskutime, ky ndryshim i pagës minimale do të reflektoj ndjeshëm në zbatimin e kontratave aktive dhe mund të ndikojë negativisht në operacionet e biznesit. Për më tepër, operatorët ekonomik theksojnë për mungesë të dispozitave të qarta në legjislacionin aktual të prokurimit publik për situata të tilla, për çfarë një pjesë e tyre kanë paraqitur kërkesat në autoritete kontraktuese për ndryshim të kontratave. Deri tani, nuk ka një qëndrim juridik të Qeverisë rreth këtij ndikimi e as udhëzime për efektet e mundshme të ndryshimeve pas nënshkrimit të kontratave.
Për këtë, INPO apelon që autoritetet përgjegjëse të shqyrtojnë këto pasoja të mundshme dhe të ndërmarrin masa për adresimin e ndikimeve negative në qëndrueshmërinë e kontratave.
Gjithashtu, vlerësojmë për nevojën e një dialogu të hapur dhe për mundësinë e rishikimit të politikave të prokurimit për evituar ndikimet e paparashikueshme në menaxhimin efektiv të punëve publike, si dhe do të garantohet që operatorët ekonomikë të kenë kapacitete të mjaftueshme në përmbushjen e angazhimeve të kontraktuara.