INPO reagon për trajtimin me “urgjencë” të projekt buxhetit nga Kuvendi i Komunës së Prishtinës
17/09/2024Prishtinë, 17 shtator 2024 – Organizata INPO nuk pajtohet me thirrjen e mbledhjes së jashtëzakonshme të Kuvendit të Komunës së Prishtinës, e cila për objekt shqyrtimi ka projekt-buxhetin për vitin 2025. INPO vlerëson se trajtimi i projekt buxhetit me “urgjencë”, përveç se është i paarsyeshëm dhe i panevojshëm, është shndërruar në një problematikë sistematike që përsëritet çdo vit, duke krijuar një praktikë të dëmshme në kundërshtim me dispozitat e Ligjit për Vetëqeverisje Lokale.
Thirrja për mbledhje të jashtëzakonshme nuk është shoqëruar me asnjë sqarim nga ana e komunës që do të justifikonte urgjencën e aprovimit të buxhetit, kur dihet se afati ligjor për aprovim është deri më datën 30 Shtator, sipas nenit 20, paragrafi 3 të Ligjit Nr. 03/L-048 për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësive. Në këtë situatë është e paqartë arsyeja që buxheti të trajtohet përmes një mbledhjeje të jashtëzakonshme dhe jo përmes mbledhjes së rregullt, kur kjo afekton në të aspekte materiale dhe procedurale të këtij procesi.
INPO konsideron se përpjekja e përshpejtimit pa ndonjë arsye e agjendës për projekt-buxhet kufizon mbajtjen e proceseve të rregullta konsultative dhe gjithëpërfshirëse me qytetarët në këtë fazë të formulimit buxhetor. Po ashtu, kjo qasje pamundëson kohën e mjaftueshme për anëtarët e Kuvendit që të njihen me përmbajtjen e dokumentit, duke rrezikuar që aprovimi i buxhetit të kaloj vetëm formalisht.
Krahas kësaj, nga monitorimi i rregullt i Komunës së Prishtinës, INPO nuk ka identifikuar që Kuvendi i Komunës të ketë mbajtur dëgjime buxhetore me qytetarë, për të përmbushur kushtet ligjore të aprovimit. Normativa juridike përcakton që, nga momenti i dorëzimit të propozim-buxhetit nga kryetari në afatin deri më 1 shtator, Kuvendi i Komunës ka për detyrim që, para aprovimit, të mbajë dëgjime publike në përputhje me aktet e aplikueshme ligjore të komunës, siç përcaktohet në nenin 61 paragrafi 2 të Ligjit Nr. 03/L-048 për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë, si dhe sipas nenit 31 paragrafi 1 të Udhëzimit Administrativ Nr. 04/2023 për Administratë të Hapur në Komuna. Këto dispozita kërkojnë që procedura e shqyrtimit të buxhetit të përfshijë një proces transparent dhe gjithëpërfshirës për të garnatuar që informacioni i nevojshëm rreth propozim-buxhetit të jetë i qasshëm për publikun.
Për më tepër, INPO shpreh shqetësimin e saj për mostransparencën e komunës në publikimin paraprak të materialeve të nevojshme për buxhet, të cilat duhet të bashkëlidhen me ftesën për mbledhjen e Kuvendit. Sipas neni 5 paragrafi 3 të Udhëzimit Administrativ Nr. 04/2023, komunat obligohen që, përveç ftesës, të publikojnë edhe materialet e mbledhjes, të cilat në rastin e Prishtinës nuk janë publikuar në asnjërën nga ueb-faqet e saj.