Mbledhja e Komitetit për Politik dhe Financa Shtime

28/06/2013

Antarët e Komitetit për Politik dhe Financa kërkuan që projektet të përfundohen

Me datë 27 qershor 2013 u mbajt Mbledhja e Komitetit për Politik dhe Financa në Shtime.
Pikat e rendit të ditës ishin:

1. Shqyrtimi i procesverbaleve nga mbledhjet e kaluara, më 29.5.2013 dhe 10.6.2013:
Kryesuesi i Kuvendit Komunal z.Kujtim Xhelili, hapi mbledhjen e pestë duke përshëndetur të pranishmit. Në këtë mbledhje ishte i pranishëm edhe kryetari i komunës z.Naim Ismajli. Pika e rendit të ditës aprovohet unanimisht.
Te shqyrtimi i procesverbalit nuk pati vërejtje dhe u aprovua me shumicën e votave unanime nga këshilltarët komunal.

2. Shqyrtimi i Kornizës Afatmesme Buxhetore për periudhën 2014-2016, pas diskutimit publik:
Debatin e hapi kryesuesi i Kuvendit Komunal z.Kujtim Xhelili, i cili elaboroi shkurtimisht për ecurinë dhe hapat e tri diskutimeve publike të cilat i ka mbajtur deri më tani Komuna e Shtimës në Fshatrat Godanc, Muzeqinë dhe Carralevë për Kornizën Afatmesme Buxhetore (KAB) 2014-2016, ai po ashtu theksoi se kësaj here pjesëmarrja e qytetarëve nëpër këto takime ishte solide megjithëse debati në Shtime kishte dështuar për shkak të numrit të vogël të pjesëmarrësve por nëpër fshatra takimet kishin shkuar mbarë.

Shaban Halimi: Tregoi se kishte qenë i pranishëm në takimin e parë i cili është mbajtur në shkollën fillore të fshatit Godanc të ulët. Ai nga ky takim dhe nga KAB kishte disa kërkesa; E para ishte kërkesa që të ndahet më shumë buxhet për asfaltimin në rrugën Godanc i ulët-Gjyrkovc e cila është rreth 3km dhe e cila sipas z.Halimi ka bazë shumë të keqe. Kërkesa tjetër për rregullimin e rrugës Kozhincë-Bregu u Zi me zhavorr po ashtu dhe asfaltimi i rrugës transit ishe ndër kërkesat e tij.
Kryesuesi,mori fjalën pas z.Halimi duke kërkuar nga ai dhe gjithë të tjerët që të fokusohen në buxhetin komunal dhe kërkoj nga deputetët të mos insistojnë për investime vetëm në lagjet ku jetojnë vet por të kenë parasysh një balancim të investimeve.

Ahmet Ahmeti: Tha se më shumë rendësi duhet të kenë punët e pakryera se sa të nisen të reja ndërsa ka përkrahur kryesuesin lidhur me kërkesën e këtij të fundit që deputetët të mos kenë kërkesa vetëm për zonat ku jetojnë. Ai potencoi se kishte përcjell diskutimin publik ne Recak ku sipas tij kishte ndodh një gabim pasi që ky fshat nuk ishte në agjendë, pavarësisht kësaj ai ishte takuar me rreth 30 banor të pranishëm dhe solli një listë me probleme/kërkesa disa prej të cilave ishin:
Zgjidhja e problemit me mungesën e ujit të pishëm, kërkesa për rrethojë tek memoriali te martirëve, rrafshimi i një kodre afër memorialit që të përdoret si parking për vizitorët, zgjidhja e problemit me ujërat e zeza, shpronësimi i pronave, kërkesë për ndërrimin dhe zhvendosjen e shtyllave elektrike të cilat janë të vjetruara, kërkesë për dy rojtarë tek memoriali, asfaltimi i aksit rrugor nga rr. 15 Janari deri tek pika e shtabit të UK-së etj.

Kryesuesi mori fjalën pas z.Ahmeti duke i thënë atij së është e drejtë e tij të takohet me qytetarë por jo ti shfrytëzoj ato takime si mbledhje dhe ti mbaj në emër të KPF-së. Ai theksoi se Fshati Recak nuk kishte qenë në agjendë dhe mbetet si takim i z.Ahmeti me qytetarë.

Fehmi Hyseni: tregoj se ai ishte i pranishëm në diskutimin publik i cili është mbajtur në fshatin Muzeqinë dhe tha se është normale qe kur të vijnë qytetarët në takim të paraqesin edhe kërkesat e tyre. Sipas tij edhe prej takimit në Recak i cili është mbajtur në mënyrë jo zyrtare kanë dal kërkesa të mira të cilat kanë vendin diku edhe nëse Komuna nuk ka mundësi të punoj rreth tyre.

Nazmi Shahini: Tha se në fshatin Muzeqinë që katër vite asnjëherë nuk është investuar përveç njëherë ku është bërë një rregullim në një pjesë të fshatit. Sipas z.Shahini buxheti i planifikuar për investime në fshatin Muzeqinë edhe kësaj here është i ulët dhe ai kërkoj që qasja në buxhet të jetë më e mirë.

Minire Qorolli: Tha se KAB po shihet se është përgatitur mirë prej vetë faktit se thuajse të gjitha kërkesat e qytetarëve tanimë ishin future Në këtë dokument. Ajo bëri thirrje që të aprovohet KAB.

Kryetari i Komunes z.Ismajli mori fjalën duke u përgjigjur në çdo kërkesë dhe pyetje të parafolësve të tij. Ai filloi me kërkesat nga Fshati Godanc, ku tha se aty është punuar dhe shumica e rrugëve janë në përfundim e sipër, kanalizimi ne rrugën kryesore po ashtu tregoj se se shpejti në atë fshat do të filloj ndërtimi i mjekësisë familjare. Kryetari po ashtu foli për kërkesat për asfaltimin e rrugëve ku tha se ato hyjnë në PIP të cilat janë të mundshme të realizohen nëse ka donacione për to. Për fshatin Recak tha se edhe aty po punohet dhe marrëveshje do të nënshkruhen për përfundimin e punëve po punohet për ndërrimin e tubave të kanalizimit dhe se çështja e parkingut tek memoriali do të zgjidhet gjatë këtij viti. Për sa i përket shpronësimeve kryetari tha se nuk do të ndodh asgjë për to këtë vit pasi që është vet faji i atyre individëve të caktuar të cilët më parë nuk kanë pranuar të bashkëpunojnë kur është zgjeruar rruga, tani kërkesat e tyre janë anormale dhe pasi qe qarkullimi po zhvillohet nuk është prioritare. Për shtyllat e kekut tha se nuk mund të bëjnë asgjë pasi që tanimë është privatizuar dhe komuna nuk mund të marr asnjë vendim. Kryetari kërkoj nga z.Ahmeti të takohet përsëri me banorët e asaj zone dhe të bëjë një marrëveshje me ta që edhe në formë vullnetare të përkujdesen për ato pjesë në atë zonë.
Për fshatin Muzeqinë i par i Komunës tha se ai fshat ka rrjetin më të mire të kanalizimit si dhe objektin më të mirë të administratës, gjatë këtij viti tha se do të ndodh edhe asfaltimi në Muzeqinë.

Kryesuesi:Luti të votohet KAB dhe që t’i rekomandohet kuvendit. Dhe me vota unanime Korniza Afatmesme Buxhetore për periudhën 2014-2016, aprovohet për mbledhjen e Kuvendit Komunal.

3. Rikonfirmimi i vendimit të kuvendit komunal-Shtime 01Nr.06/1973 i datës 16.9.2009, për shpalljen e zonës ekonomike:
Te kjo pik nuk diskutuan , KPF rekomandon Kuvendin për aprovim me vota unanime.

4. Propozim-vendim për ndryshimin e nenit 6 të Rregullores Komunale për Taksa Ngarkesa dhe Gjoba për vitin 2013:
Drejtori i drejtorisë për Planifikim urban, Kadastër dhe Gjeodezi, z.Mehdi Salihu mori fjalën i pari duke treguar se si drejtori kishin marrë një kërkesë për ndryshimin e këtij neni. Ai shpjegoi se çfarë ndryshime do të ketë në këtë nen. Sipas z.Salihu për 2013 propozohen tri taksa komunale të cilat janë:
6.1 Taksa administrative
6.2 Taksa nga rritja e densitetit të infrastrukturës dhe
6.3 Taksa komunale për ndërtim të infrastrukturës.

Ahmet Ahmeti: Pyeti z.Salihu se a do të jetë taksa e njëjtë si për ndërtimet ne zonat urbane ashtu edhe për ndërtimet në zonat rurale, dhe theksoi se sipas tij kjo nuk do të ishte në rregull.

Fehmi Hyseni: Tha se ndoshta do të ishte një rregull që të organizohet një dëgjim publik lidhur me këtë pikë.

Kryesuesi mori fjalën dhe tregoj se nuk mund të ketë debat për ligjin.
Ndërsa Kryetari i Komunës tha se këtë e kanë shtyrë USAID dhe ministria dhe se tanimë nuk ka kohë për debat. Dhe u pajtuan unanimisht që kjo pik ti rekomandohet kuvendit për aprovim.

5. Shqyrtimi i Kërkesave:

Z.Naser Balaj nga fshati Carralevë ka kërkuar ndihmë nga Kuvendi Komunal- Shtime ndihmë për rregullimin e katit të parë të shtëpisë për banim.
Rekomandim: Drejtoria për shëndetësi dhe mirëqenie sociale nuk ka fond të mjaftueshëm për përkrahje të tillë.
(nuk pati diskutim për këtë kërkesë)

Bashkësia islame e Kosovës, dega në Shtime, kërkesë për ndarjen e një lokacioni rreth 5 hektarë për varrezat e qytetit.
Rekomandim: Drejtoria për planifikim urban, kad. dhe gjeo. Rekomandon që kërkesa të aprovohet.
(nuk pati diskutim për këtë kërkesë)

Bashkësia islame e Kosovës dega në Shtime, kërkesë për ndarjen e një lokacioni prej 20 ari në lagjen e pajtimit për ndërtimin e një xhamie të re.
Rekomandim: Drejtoria për planifikim urban gjeo. dhe kadas. Rekomandon që kërkesa të refuzohet,me arsyetim që me planet zhvillimore aktuale nuk kanë të paraparë ndërtim të ri për xhami në lagjen e Pajtimit.
(nuk pati diskutim për këtë pikë)

Shoqata e familjeve të dëshmorëve, dega në shtime kërkesë për ndihmë financiare (shuma e pacaktuar) për realizimin e projektit që ka të bëjë me ngritjen dhe vendosjen e bustit të dëshmorit Afrim Selmani. Projekti është financuar nga familja e dëshmorit, është përkrahur nga SHFD dhe leja është marrë nga Komuna. Punimet janë në përfundim e sipër prandaj do të ishte mirë që edhe Komuna të participoj me një shumë të mjeteve financiare në këtë projekt.
Kryesuesi dha një propozim konkret ku tha se nga projektet me participim komuna mund të ndihmoj me 2.000 Euro.
Fehmi Hyseni: Tha se aty është vendosur një pllakate dhe to të behët edhe një unazë punimet nuk do të jenë vetëm në pronën e familjes por edhe në pronë publike andaj ndoshta do të ishte mirë me i pyet edhe banorët lidhur me këtë çështje.
Kryesuesi: Iu përgjigj z.Hysenit duke i thënë se planet për unazë në atë zonë janë plane të drejtorisë. Konstatim që ti propozohet kuvendit të mos marrë vendim këtë mbledhje por në mbledhjen e ardhshme.

Z.Bekim Mehmeti nga fshati vojnovc ka njoftuar me shkresë kuvendin se ka bërë ankesë në MAPL kundër vendimit komunal me të cilin i është refuzuar kërkesa për ndryshimin e emërimit të rrugës “Fejzullahu ne Vojnovc.
Rekomandim: Drejtoria për planifikim urban, gjeo. dhe kadastër rekomandon që kërkesa të refuzohet me arsyetim se është kërkesë e përsëritur dhe është dhënë rekomandim nga mbledhja e kaluar dhe rekomandimi është i njëjtë.
(nuk pati diskutim)

Z.Ilmi Sadriu, Administrator i fshatit davidovc ankesë kuvendit komunal për vendimin e saj për emërimin e rrugëve dhe shesheve në Komunën e Shtimes.
Rekomandim: Drejtoria për planifikim urban, kadastër dhe gjeodezi rekomandon që kërkesa të refuzohet me arsyetim se është kërkesë e përsëritur dhe është dhënë rekomandim nga mbledhja e kaluar dhe rekomandimi është i njëjtë.

Z. Tahir Kokollari, përfaqësues i firmës NP.”Etlinger” kërkesë për ndryshim të vendimit me të cilin palës i është dhënë në shfrytëzim prona e paluajtshme komunale prej 70 Ari, ne afat prej 10 viteve tani pala kërkon që afati kohor për shfrytëzim të kësaj prone të jetë më i gjatë.
Rekomandim: Drejtoria për planifikim urban, kadastër dhe gjeodezi rekomandon që kjo kërkesë të aprovohet.
KPF-ja merr vendim që kjo kërkesë të refuzohet me arsyetimin se është në procedurë të përfundimit të dokumentit për zonën ekonomike.
7 nga 7 anëtarë votuan pro këtij vendimi.