Komuna e Gjakovës kufizon konkurrencën në aktivitete të prokurimit dhe favorizon kompani të caktuara

25/05/2021

Prishtinë, 25 maj 2021, – Organizata INPO reagon kundër kufizimit të konkurrencës së lirë dhe trajtimit jo të barabartë të operatorëve ekonomik përmes procedurave të prokurimit publik nga ana e komunës së Gjakovës dhe favorizimit të operatorëve të caktuar.

Komuna e Gjakovës në aktivitetin e prokurimit me titull “Sanimi-Ndërtimi i rrugëve me asfalt”, me numër të prokurimit 632-21-396-5-1-5, ka kufizuar konkurrencën e lirë dhe të barabartë të operatorëve ekonomik në Kosovë, duke përdorur procedurën e kufizuar pa publikim të njoftimit për kontratë, pa arsyetim të pranueshëm dhe në kundërshtim me Ligjin për Prokurimin Publik në Kosovë.

Më 17.03.2021 komuna e Gjakovës ka nënshkruar kontratë për sanimin dhe asfaltimin e rrugëve në vlerë prej 838,998.86€, me operatorin ekonomik “ARFA GROUP” Sh.P.K.

Përdorimin e procedurës së negociuar pa publikimin e njoftimit për kontratë, (procedurë kjo e cila konsiderohet si procedura më jo-transparente dhe e cila kufizon konkrencën e barabartë), komuna e ka mbështetur në nenin 35, paragrafi 2.1, pika (iii) të Ligjit për Prokurim Publik në Kosovë. Ky paragraf lejon përdorimin e kësaj procedure me kusht që, “për  aq sa është shumë e nevojshme për  arsye të  emergjencave ekstreme që janë shkaktuar nga ngjarje objektivisht të verifikueshme të cilat nuk kanë pasur mundësi të parashikohen me arsye nga autoriteti përkatës kontraktues, autoriteti i tillë kontraktues nuk mund ta japë kohën e kërkuar për ushtrimin e cilësdo procedurë tjetër që parashtrohet në këtë ligj.” Rrjedhimisht, ligji kërkon justifikimin e arsyeshëm për përdorimin e kësaj procedure.

Gjatë analizës së dokumenteve të tenderit, INPO ka gjetur se përdorimin e kësaj procedure komuna e ka arysetuar me “gjendjen jo e mirë e rrugëve lokale, duke përfshirë edhe rrugët kryesore të cilat janë dëmtuar jashtëzakonisht shumë  ku dëmtimi ka ardhur si pasojë e të reshurave të mëdha që kishim këtë sezon, vërshimeve dhe hedhjes së kripës, ku për pasojë në terren kemi  qarje të asfaltit, hapje të gropave, dëmtim të ujëmbledhëseve dhe kanaleve të ujërave atmosferik(…) dhe se për shkak të dëmtimit të rrugëve ka pasur aksidente në trafik”.

INPO vlerëson se ky arsyetim është i pabazuar dhe nuk e legjitimon kufizimin e konkurencës së barabartë të operatorëve ekonomik, të cilët janë të shumtë në lëminë e ndërtimit të rrugëve.

Në bazë të dokumenteve të analizuara dhe gjendjes faktike, është lehtë e verifikueshme se rrugët në komunë për një kohë të gjatë kanë qenë të dëmtuara dhe të demoluara. Për më tepër, komuna këtë aktivitetet të prokurimit e kishte planifikuar në Janar 2021. Rrjedhimisht, nevoja për sanimin e rrugëve po të ishte një urgjencë ekstreme nuk do të mund të planifikohej. Tutje, INPO vlerëson se sanimi dhe ndërtimi i rrugëve nuk është një çështje që ndodh papritur, përkatësisht ai është një proces më i gjatë dhe jo i aty për atyshëm, gjë që përsëri largon nga opsioni i përdorimit të kësaj procedure, sidomos duke pasur parasysh edhe faktin se ligji potencon se urgjencat e tilla nuk mund t’i atribuohen veprimeve neglizhente të komunës.

Tutje, INPO ka gjetur se edhe Komisioni Rregullativ për Prokurimin Publik (KRPP), në opinionin e saj dhënë komunës së Gjakovës rreth përdorimit të kësaj procedure ka vlerësuar senuk ekziston ndonjë “arsye” e justifikuar e cila e detyron aplikimin e kësaj procedure, si të vetmin opsion, për lidhje të kontratës”  dhe se “me qëllim  të respektimit të  parimeve themelore të Ligjit për Prokurim Publik, KRPP-ja i rekomandon Komunës së Gjakovës që këtë aktivitet të prokurimit ta zhvilloj me procedurë të hapur, nëse është e nevojshme edhe me afate të përshpejtuara, si dhe të  hartoj dosjen e tenderit me kërkesa minimale me  qëllim të evitimit të zvarritjeve eventuale.”

Pavarësisht këtij rekomandimi, komuna kishte vendosur që ta shpërfillë të njëjtin dhe duke minuar në maksimum konkurrencën e tregut, kishte vendosur që ta shpërblej me kontratë operatorin ekonomik “ARFA GROUP” Sh.P.K., në vlerë prej 838,998.86€.

INPO ka gjetur se ky operatorë, fitues i kësaj kontratë, deri para një (1) viti, me vendim të Organit Shqyrtues të Prokurimit, e ka pasur të ndaluar për një përiudhë gjashtë (6) mujore pjesëmarrjen në aktivitete të prokurimit, për shkak të falsifikimit të dokumenteve dhe ofrimit të përmbajtjes së rreme në një tender. Ky precendet i kësaj kompanie nuk e ka penguar komunën që këtë operatorë ta ftoj për ofertim dhe ta shpallë fitues. Dy operatorët e tjerë  të ftuar për ofertim, “Berisha Com” Sh.P.K dhe “VIA” Sh.P.K., ishin shpallur të papërgjegjshëm dhe nuk kishin parashtruar ankesa. INPO ka vërejtur se “Berisha Com” në tri vitet e fundit ka lidhur një numër të konsiderueshëm të kontratave me komunën e Gjakovës, ndërkaq “VIA” Sh.P.K  në tri vitet e fundit, nuk figuron të jetë e kontraktuar nga komuna.

Bazuar në këto gjetje dhe të dhëna, INPO me arsye dyshon në keqpërdorim të parasë publike përmes prokurimit dhe favorizim të kompanive të caktuara për interesa të caktuara nga ana e zyrtarëve të komunës.

Andaj, INPO i bënë thirrje ekzekutivit të komunës së Gjakovës dhe organeve të ndjekjes që të ndërrmarrin të gjitha veprimet e nevojshme sipas kompetencës së tyre  ndaj zyrtarëve që kanë lejuar shkeljen e dispozitave të Ligjit për Prokurimin Publik dhe të sigurojnë sundimin e ligjit dhe parandalimin e praktikave diskrimiminuese dhe favorizuese ndaj kompanive të caktuara

Ndërsa, Komisionit Rregullativ për Prokurimin Publik i bëjmë thirrje që të intensifikoj aktivitetet në kuadër të monitorimit, duke siguruar se autoritetet kontraktuese zbatojnë dispozitat ligjore në fushën e prokurimit publik.

                                                                                                              ####