Raporti financiar i 6 mujorit s’i përmbushë kriteret ligjore

31/08/2017

INPO shpreh indinjatë ndaj mosangazhimit dhe mungesës së interesimit të anëtarëve të Kuvendit Komunal të Ferizajt për të shqyrtuar seriozisht, dokumentet e punës së Kuvendit në seancën e fundit, në veçanti shpenzimet financiare të komunës në gjashtëmujorin e parë të këtij viti.

Raporti financiar për periudhën janar-qershor 2017, i shqyrtuar në Kuvend, me përmbajtjen aktuale nuk i përmbush kriteret ligjore të një organizate buxhetore, siç është komuna. Ky raporti përmban vetëm shuma totale të planifikimit dhe shpenzimit për kategori të ndryshme ekonomike dhe në asnjë faqe të tij nuk i përfshinë detajet të lidhur me shpenzimin e parasë publike gjatë periudhës raportuese. Sipas Ligjit për Financat Publike dhe Përgjegjësitë, raportet tre mujore, përveç tjerash, duhet të përbëjnë: një përmbledhje të statusit të të gjitha projekteve kapitale të shpenzimit; mbishkrim të ndonjë deficiti ose deficiti buxhetor dhe mënyra se si janë financuar; detaje të pagesave të borxheve ndaj palëve të tjera, numri faktik i punonjësve të përhershëm dhe të përkohshëm të komunës krahasuar me numrat e autorizuar në buxhet; një raport mbi veprimet e ndërmarra dhe veprimet e propozuara në lidhje me gjetjet dhe rekomandimet e Auditorit të Përgjithshëm në Raportin Vjetor të Auditimit të pasqyrave financiare,  të cilat kryetari i komunës së Ferizajt, nuk i ka prezantuar në dokument. Rrjedhimisht, kryetari i komunës nuk i ka respektuar urdhëresat e nenit 45 të Ligjit për Financat Publike dhe Përgjegjësitë. Madje nuk i ka respektuar as afatet kohore për raportim në Kuvend.

Në anën tjetër, është shqetësues fakti, se anëtarët e Kuvendit Komunal, përfshi anëtarët e koalicionit shumicë, miratojnë dokumente dhe raporte, të cilat nuk i përmbushin standardet ligjore dhe ato të transparencës, në veçanti në sferën e shpenzimit të parasë publike, përmes mbivotimit.

INPO në vazhdimësi ka tërhequr vërejtjen për mungesën e rezultateve të punës së Kuvendit Komunal në ushtrimin e mekanizmave të kontrollit ndaj ekzekutivit dhe kërkimin e llogarisë për shpenzimin e parasë publike, ndërsa kalimi i raportit financiar pa një debat të mirëfilltë dhe pa kërkim të llogaridhënies sipas obligimit ligjor është dëshmia më e mirë e cilësisë së punës dhe angazhimit të këtij Kuvendi.

INPO i rikujton Kuvendit Komunal, se ai është organi më i lartë vendimmarrës,  i cili do të duhej të sigurohej se po zbatohen të gjithë mekanizmat ligjorë dhe standardet që promovojnë transparencën financiare të komunës, ndaj do të duhej ishte autoritet i pakontestueshëm për kontrollin dhe mbikëqyrjen e punës së Kryetarit.

Ftojmë kryetarin e komunës që ta ndërpresë praktikën e mos prezantimit të hollësishëm të shpenzimeve të parasë publike. Të angazhohet maksimalisht që raportet financiare të jenë në përputhje me frymën e Ligjit për Financat Publike dhe Përgjegjësitë dhe standardet për transparencë financiare.

Ky grant është financuar nga projekti Promovimi i Shoqërisë Demokratike (DSP) – financuar nga Zyra Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë (SCO-K) dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Danimarkës (DANIDA) dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KSCF).