Kopshti i fëmijëve në “Lagjen e Re” vazhdon të funksionoj jashtëligjshëm

05/03/2015

Ferizaj, 05 Mars, 2015 – INPO me shqetësim reagon ndaj moszbatimit të marrëveshjes mes Komunës së Ferizajt dhe Caritas Kosova për funksionimin e ligjshëm të kopshtit të fëmijëve në Lagjen e Re.

Kryetari i Komunës z. Muharrem Svarqa pas presionit të INPO-s, kishte rimodeluar këtë marrëveshje, në të cilën Komuna bartë detyrimet dhe përgjegjësitë për këtë institucion përkitazi me Ligjin për Edukimin parashkollor. Sipas kësaj marrëveshje, Komuna ka për obligim që të kujdeset për përzgjedhjen e stafit menaxhues, profesional dhe atij teknik. Mirëpo, edhe pse marrëveshja u nënshkrua më 5 Shkurt 2015, Kryetari i Komunës akoma nuk ka ndërrmarë as një veprim që të shpallë konkursin e rregullt për drejtuesit dhe punëtorët e këtij kopshti, konkurs i cili u premtua se do të shpallej të nesërmen. Rrjedhimisht, ky kopsht vazhdon të funksionojë jashtëligjëshëm dhe në kundërshtim me marrëveshjen.

INPO, kërkon urgjentisht nga Komuna e Ferizajt që të ndërhyjë duke e rikthyer ligjshmërinë në funksionalizimin e Kopshtit, të marrë përgjegjësitë ligjore që i takojnë dhe të kujdeset se punësimi i stafit edukativ dhe personelit udhëheqës të kopshtit të bëhet në përputhje me Ligjin mbi Edukimin Parashkollor dhe Ligjin për Shërbyesit Civil.