Reagim: Treni është ende rreziku më i madh për jetën e qytetarëve të Ferizaj
06/11/2014Ferizaj, 6 Nëntor – Hekurudha që i dha jetë dhe e cila paraqet simbolin e qytetit të Ferizajt ende paraqet rrezikun më të madh për jetën e qytetarëve. INPO është jashtëzakonisht e shqetësuar me rastet e reja të aksidenteve të shkaktuara në komunikacionin hekurudhor. Rasti i fundit i aksidentit në fshatin Varosh, tregon qartë që autoritetet komunale nuk kanë bërë asnjë veprim për të vendosur masa sinjalizuese dhe mbrojtëse, në mënyrë që të parandalohen aksidentet dhe paraqet burimin e aksidenteve më të shpeshta.
INPO e shqetësuar vlerëson se edhe përkundër numërit të madh të njerëzve të vdekur dhe aksidentuar rëndë nga trenët, deri më tash është bërë shumë pak për të parandaluar këto aksidente vdekjeprurëse. Vlen të përmendet se pas luftës tëgjithë Kryetarët e Komunës së Ferizajt kanë premtuar ndërhyrje dhe projekte me të cilat do të zgjidhej ky problem. Që nga Kryetari z.Salihaj, i cili pat premtuar që hekurudha të futej nën tokë, pastaj z. Xhemajli i pasuar nga z.Aliu të cilët patën premtuar që ky problem të zgjidhej brenda mandatit të tyre,e deri tek z. Svarqa i cili në fushatën e zgjedhjeve të fundit lokale premtoi që zgjidhjen e këtij problem ta bëjë me “kafazin” e famshëm.
INPO konsideron se të gjithë kryetarët gjatë mandatit të tyre nuk e kantrajtuar seriozisht këtë problem, duke e anashkaluar në masë shqetësuese.Arsyetimet për mungesë të fondeve për të i dhënë një zgjidhje paraqesin fshehjen e mungesës së seriozitetit në çasjen ndaj këtij problem, e që shpie në mungesën e ideve për zgjidhjen përfundimtare të problemit.
Si masë emergjente, INPO kërkon nga Komuna e Ferizajt së bashku me Hekurudhat e Kosovës të vendosin masa sinjalizuese dhe mbrojtëse në vendkalimine automjeteve dhe të njerëzve në fshatin Varosh. Gjithashtu, kërkojmë nga kryetari z.Svarqa, në bashkpunim me autoritetet qendrore, komunitetin, shoqërinë civile, të gjejë zgjidhje të shpejtë të problemit të hekurudhës në Ferizaj,duke parandaluar aksidentet e ardhshme dhe vdekjet e njerëzve.