INPO fton pozitën dhe opozitën për dialog për tejkalimin e bllokadës së krijuar në Kuvendin Komunal

19/06/2015

Prishtinë, 19 Qershor 2015 – INPO në vazhdën e monitorimit të funksionimit të Kuvendit Komunal të Prishtinës vlerëson se përplasja në mes të pozitës, në këtë rast ekzekutivit të Komunës dhe anëtarve të Kuvendit nga radhët e LDK-së dhe PDK-së, po i sjellë vetëm dëme qytetarëve dhe zhvillimeve në Komunën e Prishtinës.

Që prej prillit të këtij viti, pas përplasjes verbale e cila eskaloi në përplasje fizike, në Kuvendin Komunal të Prishtinës nuk janë diskutuar e as votuar asnjë prej pikave të rendit të ditës të propozuara nga Drejtori i Urbanizmit, z. Liburn Aliu. Kjo për shkak të kundërshtimit të vazhdueshëm të opozitës në Kuvend për të mos diskutuar për këto pika, duke kërkuar kështu shkarkimin e Drejtorit në fjalë. Gjithë kjo situatë e krijuar për INPO-n është e panevojshme, e mbi të gjitha dëmtuese dhe penguese e zhvillimeve normale të punimeve të Kuvendit Komunal dhe Drejtorisë së Urbanizmit.

Një bllokadë e tillë pamundëson çfarëdo zhvillimi në Drejtorinë e Urbanizmit dhe si rrjedhojë bllokimi i planeve zhvillimore urbanistike pengon zhvillimin Kryeqytetit dhe e futë atë në një kaos të ri urban. Këto plane janë të rëndësisë së veçantë për vendosjen e standarteve dhe kritereve të zhvillimit urban të kryeqytetit dhe palët duhet të refklektojnë seriozisht dhe të gjejnë zgjidhje për bllokadën e krijuar. Një bllokadë e tillë po pengon funksionimin dhe mbarëvajtjen e punës së Kuvendit Komunal në trajtimin e çështjeve të ndjeshme të urbanizmit, e cila do të përcjellet me pasoja negative zhvillimore e po ashtu edhe me implikime financiare.

Prandaj, INPO fton ekzekutivin e Komunës, konkretisht kryetarin z.Shpend Ahmeti dhe partitë opozitare në Kuvend, që të ulen dhe të zhvillojnë dialog, me qëllim të tejkalimit të bllokadës së krijuar. Gjithashtu, ftojmë palët që të tërhiqen prej qëndrimeve ekstreme në mënyrë që t’i rikthehet funksionimi normal Kuvendit të Komunës së Prishtinës në trajtimin e çështjeve të urbanizmit.