Komuna, Partitë Politike në Ferizaj dhe INPO bashkëpunojnë për të zhvilluar sektorin e marrëdhënieve

21/06/2008

Ferizaj, 21 Qershor 2008: INPO pasi ka realizuar disa takime konsultative me Komunën dhe Partitë Politike në Ferizaj, në muajin Maj kanë nënshkruar një memorandum me qëllim të bashkëpunimit në zbatimin e projektit “Promovimi i Dialogut Cilësor ndërmjet Udhëheqësve Politikë dhe Qytetarëve”, i cili do të ofroj asistencë të drejtpërdrejtë në krijimin e kapaciteteve dhe infrastrukturës më të mirë për përmirësimin e marrëdhënieve me publikun.

Ky projekt është financuar nga Fondi i Mirëbesimit për Ballkanin dhe është një nismë shumë e rëndësishme që do t’i kontribuonte transparencës dhe llogaridhënies më të madhe të Kuvendit Komunal dhe Partive Politike. INPO në kuadër të këtij projekti do të aranzhojë trajnime nga profesionistë të fushës së marrëdhënieve me publikun, do të ndihmoj në hartimin e politikave dhe krijimin e infrastrukturës më të mirë për fuqizimin e marrëdhënieve me media dhe publik.

Zhvillimi i kontakteve ndërmjet partive politike dhe qytetarëve është thelbësor në përparimin e përfaqësimit të tyre ne organet vendimmarrëse. Një gjë e tillë do të arrihet duke përmirësuar infrastrukturën, kapacitetin dhe politikat e marrëdhënieve me publikun. Roli jonë në këtë projekt do të jetë lehtësues, respektivisht ne do të kryejmë aranzhime praktike të realizimit të qëllimit. Falënderojmë, Partitë Politike dhe Komunën e Ferizajt për gatishmërinë e tyre që të bashkëpunojmë për të quar edhe një hap përpara demokracinë në Ferizaj.

Projektin e prezantoi Armend Pajaziti, Zyrtar për Komunikim me Media dhe Publik në INPO, i cili i njoftoi pjesëmarrësit në konferencë edhe me hollësi të tjera të këtij projekti. Pjesëmarrës në Konferencë ishin: z. Xhabir Morina Drejtor i Drejtorisë për Administratë dhe Personel, z. Ylber Topalli nga PDK, z. Fevzi Mehmeti nga LDK, z. Naim Ferati nga AKR dhe z. Kemajl Ramadani nga AAK. Nënshkrues të memorandumit të bashkëpunimit është edhe LDD por për shkak të angazhimeve të tyre nuk morën pjesë në këtë konferencë. Pjesëmarrësit vlerësuan si shumë të rëndësishëm realizimin e këtij projekti, i cili do të ndihmoj në ngritjen profesionale të stafit të Komunës dhe Partive politike në komunikimin e drejtë dhe të duhur me media dhe qytetarë, duke vlerësuar se komunikimi është mjeti më i mirë për adresimin e çështjeve të komunitetit.