INPO inicion procedura në prokurori ndaj Komunës së Ferizajt.

21/04/2011

21 prill 2011- Pas reagimit të djeshëm të INPO-së ndaj ligjshmërisë së vendimeve për dhënie në shfrytëzim të hapësirës publike për vendosjen e billbordave reklamuese. Drejtoresha e Drejtorisë së Urbanizmit, Pronës, Kadastrit, Gjeodezisë dhe Mbrojtjes së Mjedisit ka hedhur poshtë dyshimet e INPO-së për këtë çështje. Ne sot, pas këtyre deklarimeve përmes një Fletë paraqitje Penale do të bëjmë thirrje drejtësisë që të merret me çështjen e ligjshmërisë së vendimeve të dhëna nga Drejtoria e Urbanizmit, Pronës, Kadastrit, Gjeodezisë dhe Mbrojtjes së Mjedisit. Në deklarimet e vetë drejtoreshës Qazime Vata për këtë çështje thuhet se janë kërkuar inicimi i procedurës së Prokurimit para dy viteve por është zvarrit lënda, me këtë deklarim Drejtoresha pranon se është dashur të ndiqen procedurat e tenderimit dhe përmes nënshkrimit të vendimeve del se me vetëdije ka vepruar kundër ligjit. Ne vazhdojmë të jemi mbrapa qëndrimeve tona se Qazime Vata Drejtoreshë e Drejtorisë së Urbanizmit, Pronës, Kadastrit, Gjeodezisë dhe Mbrojtjes së Mjedisit ka keqpërdorur detyrën zyrtare duke nënshkruar vendime pa bazë ligjore dhe kjo lenë dyshim për korrupsion. Ne gjithashtu kërkojmë nga Kryetari i Ferizajt Bajrush Xhemaili që të bëjë thirrje kabinetit të tij qeverisës, që të jenë më të kujdesshëm në respektimin e ligjit dhe mbrojtjen e interesave të qytetarëve. Me këtë veprim shpresojmë shumë që do të jemi shembull precedent për shoqërinë civile, gazetarët dhe qytetarët të cilët vërejnë ndonjë shkelje të proceduarave ligjore nga institucionet publike. Ne këtë veprim e mbështesim në nenin 258 dhe 259 të Kodit të Procedurës Penale ku thotë se “çdo institucion publik dhe person fizik i Republikës së Kosovës është i obliguar që të bëjë Kallëzim Penal me shkrim ose gojarisht nëse vëren ndonjë shkelje të ligjit a procedurave ligjore”. Kërkojmë nga Prokuroria e Ferizajt që ti jep prioritet zbardhjes së këtij rasti.