Publikimi i Raportit të Monitorimit, “Qeverisja Lokale në Shtime” Janar-Qershor 2011
10/08/201110 gusht 2011, Ferizaj – Iniciativa për Progres (INPO) publikon raportin “Qeverisja Lokale në Ferizaj, Kaçanik, Shtime dhe Hani i Elezit” bazuar në monitorimin e punës së këtyre komunave gjatë periudhës Janar-Qershor 2011. Monitorimi është fokusuar në Asamblenë komunale dhe Ekzekutivin e komunës.
Metodologjia e përdorur në hartimin e këtij raporti përfshin elemente të hulumtimit cilësor, sasior dhe krahasues dhe adreson progresin organeve komunale lidhur me premtimet dhe pritjet e qytetarëve, parimet e qeverisjes së mirë dhe transparente dhe adresimin e problemeve me të cilat përballen komunat.
Nga të gjeturat e monitorimit, INPO e vlerëson qeverisjen e z. Naim Ismajli si një ndër qeverisjet e cila më së miri nga katër komunat nën monitorim (Ferizaj, Kacanik, Han i Elezit dhe Shtime) i ka përfshirë në punën e saj parimet e qeverisjes mirë, duke përfshirë një qeverisje transparente e bashkëpunuese me qytetarë dhe shoqërinë civile dhe llogaridhënëse. Problem serioz i kësaj qeverisje mbetet realizimi i projekteve dhe premtimeve të dhëna qytetarëve.
Komuna e Shtimes në aspekt të Transparencës dhe Llogaridhënies qëndron shumë më mirë se sa Komuna e Ferizajt dhe Kaçanikut. Qasja në informacion dhe dokumentacion qoftë për mediet apo shoqërinë civile është shumë më e lehtë. Për më tepër kryetari Ismaili mban një komunikim më të rregullt me qytetarë dhe takime më të shpeshta duke i marr parasysh propozimet e qytetarëve për projektet kapitale dhe investimet e ndryshme.
Për më tepër, Komuna e Shtimes paraqet shembullin më të mirë të zbatimit të nenit 34 të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale që paraqet edhe një prej qëllimeve kryesore të funksionimit të vetëqeverisjes lokale. Neni i lartë përmendur i autorizon Komunat që të mund të lidhin me fshatrat në mënyrë që tu përgjigjen interesave të qytetarëve sa më afër. Ky paraqet një ndër rastet e shumë të rralla të realizimit të këtij mekanizmi në Kosovë. Përmes kësaj mundësohet që të përfshihen nevojat dhe interes të qytetarëve nw plan-programet komunale.
INPO e vlerëson lartë nivelin e diskutimeve ne Kuvendin Komunal në Shtime. Diskutimet në të shumtën e rasteve janë profesionale dhe nuk kalojnë në nivel personal. Për më tepër ka bashkëpunim të mirë dhe konstruktiv mes pozitës dhe opozitës, bashkëpunim i cili ka rezultuar rezultate më të mira të punës. Si mangësi të punës në Kuvend INPO vlerëson mungesën e vizionit dhe plan-programeve të qarta mbi synimet e asambleistëve. Kjo si shkak i mungesës së profilizimit të partive politike dhe mungesën e një filozofie qeverisëse.
Në bazë të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, në kompetencë të Kuvendit të Komunës janë nxjerrja e rregulloreve të komunës, rregulloreve të punës dhe akteve tjera të nevojshme brenda fushë-veprimtarisë. Nga një krahasim i INPO-s del se Kuvendi Komunal i Shtimes është një prej Kuvendeve më aktive nga të katër komunat e paraqitura në këtë raport, si për nga numri i akteve të miratuar ashtu edhe për nga fushat të cilat rregullohen përmes këtyre akteve.
Arsimi në Shtime ka probleme që përfshijnë cilësinë e arsimit, sigurinë dhe mungesën e kushteve. Veprim mjaft pozitiv për arsimin në Shtime është ndarja e bursave për studentë, edhe pse simbolike (50 euro në muaj), nga ana e Drejtorisë së Arsimit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Kjo e bënë këtë të vlefshme për faktin se Komuna e Shtimes ka një buxhet shumë të limituar dhe shumë më të vogël në krahasim me Komunën e Ferizajt dhe tjera.
Një ndër problemet më serioze me të cilat përballen qytetarët e Komunës së Shtimes paraqet gjendja e rëndë sociale. Gjendja sociale në Komunën e Shtimes paraqitet mjaft e rëndë. Problemi më i ndjeshëm në këtë drejtim mbete sigurimi i kushteve minimale për jetesë për të pastrehët. Kjo është identifikuar edhe nga raportimet e medieve të shkruara. Komuna në këtë drejtim nuk ka arritur të ju ndihmojë këtyre banorëve për një kohë të gjatë.