17 qershor 2012 Komunikata 3 (18:00) Dalja në votime deri në ora 17:00 dhe mbarvatja.

17/06/2012

(Raport paraprak përmbledhës. Detajet për secilën çështje të identifikuar do të jepen në raportet me të detaizuara që do të përgatiten pas procesit të votimit)

Kaçanik – Deri në ora 17:00 (mesditë), në zgjedhjet e parakohshme për Kryetarin e Komunës në Kaçanik kanë votuar 8,602 votues të rregullt dhe 136 me kusht, 27.8% nga totali. Dalja më e lartë ka qenë në vendvotimin 0703D/02D (Kaçanik i Vjetër) me 41.5 %, ndërsa më e ulëta në vendvotimin 0718D/1R (Korbliq), me 17.87%. Në zonat urbane dalja është 30.16% dhe në zonat rurale është 26.25%.

Problemet me listën e votuesve:
Në qendrën e votimit 0718D (Korbliq) ka një dalje shumë të ulët të qytetarëve për të votuar, nga 207 votues sa janë të regjistruar në këtë qendër, kanë votuar vetëm 37 nga ta. Arsyeja kryesore për këtë dalje të ulët është ndërrimi i qendrës së votimit të banorëve të këtij fshati dhe transferimi i tyre nga Korbliqi në qytetin e Kaçanikut. Votimet familjare dhe fshehtësia e votës: Qendra e votimit 0706D (fshati Dubravë), vendvotimi 04D, pas tentimit të votimit familjar dhe moslejimit të votimit nga ana e kryesuesit ka pas një fjalosje mes njërit prej votuesve dhe kryesuesit të qendrës, mirëpo ky problem është tejkaluar pas intervenimit të menaxherit të qendrës së votimit. Qendra e votimit 0706D (Dubravë), vendvotimi 02R ka pasur një fotografim të votës nga një votues. Qendra e votimit 0707D (Doganaj), vendvotimi 03R ka pasur një votim të hapur.

Performanca e komisionerëve:
Në qendrën e votimit 0701X, vendvotimet 01R dhe 02R, në ora 13:59 kanë qenë të pranishëm vetëm nga dy komisionarë dhe kjo situatë ka zgjatur për më tepër se 15 minuta.

Prania e personave të paautorizuar
Në qendrën e votimit 0719D (fshati Kovaçec) vëzhguesi i Lëvizjes Vetëvendosje ka kërkuar që një person i paautorizuar të lëshoj vendvotimin dhe si rezultat ka ardhur deri te një përplasje verbale mes vëzhguesit të VV-së dhe komisionarëve në këtë vendvotim. Është dashur ndërhyrja e menaxherit të qendrës së votimit që situata të qetësohet dhe personi i paautorizuar të lëshoj vendvotimin. Në qendrën e votimit 0701D, ka pasur prani të personave të paautorizuar brenda hapësirës së qendrës së votimit.