Sfidat e zbatimit të Kushtetutës në tërë territorin e Kosovës

06/06/2008

Ferizaj, 6 Qershor 2008: Për të adresuar problemet në zbatimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, INPO ftoi në një tryezë diskutimi përfaqësues të shoqërisë civile dhe asaj politike. Më 15 Qershor pritet që në Kosovë të hy në fuqi Kushtetuta e Republikës së Kosovës. Përderisa kjo datë afrohet, gjithashtu shtohen edhe pengesat në zbatimin e saj, jo vetëm në aspektin e shtrirjes së fuqisë së Kushtetutës në tërë territorin e Kosovës, por edhe sepse ende ka ngatërresa serioze rreth autoritetit të prezencës ndërkombëtare në Kosovë dhe marrëdhënies së sajë me Institucionet Publike të Republikës së Kosovës. Më tutje, fillimi i konstituimit të institucioneve paralele serbe në Kosovë si dhe refuzimi i planit të decentralizimit nga ana e tyre, do të vështirësoj edhe më tej implementimin e Kushtetutës duke krijuar standard të dyfishtë juridik në Kosovë.

z. Besim Zymberi zëvendës kryesues i Kuvendit Komunal, deklaroi se Institucionet lokale vetëqeverisëse po bëjnë përgatitjet për të filluar zbatimin e Kushtetutës dhe Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale, megjithatë na rikujtoi mungesën e komunikimit efikas të Qeverisë së Republikës dhe Komunave për t’i njoftuar me kohë me substancën e ligjeve dhe mënyrën e reagimit pas 15 Qershorit. Ndërsa, kryeprokurori z. Ekrem Shabani ceku ndryshimet që pritet të ndodhin në strukturën dhe hierarkinë e Gjyqësorit të Kosovë pas 15 Qershorit. Ai gjithashtu deklaroi se institucionet e gjyqësorit që nga data e shpalljes kanë filluar funksionimin e tyre nën emblemën e republikës, duke zbehur autoritetin e UNIMIK-ut, i cili i kishte emëruar në këto pozita, z. Shabani potencoi riemërimin e zyrtareve të lartë të gjyqësorit në Kosovë nga ana e institucioneve të Republikës, si njërën nga çështjet më të rëndësishme në zbatimin e Kushtetutës së Republikës. Sfida Kryesore në zbatimin e Kushtetutës është në fushën e decentralizimit, theksoi z. Hajdin Abazi deputet i Kuvendit të Kosovës, i cili kërkoi një sjellje të matur dhe të koordinuar të faktorëve vendor në rastin e decentralizimit.

Përfaqësuesit e shoqërisë civile duke kujtuar se miratimi i Kushtetutës nuk u realizua përmes referendumin për të krijuar pronësi mbi dokumentin, argumentuan nevojën për një angazhim intensiv dhe agresiv të institucioneve të Kosovës për të marr përsipër kompetencat shtetërore, në mënyrë që të mos kemi tensionim të situatës dhe vakum institucional. Në mbyllje të debatit Ramadan Ilazi, drejtor ekzekutiv i INPO-s theksoi se Qytetarët kanë nevojë për një sqarim rreth autoritetit të prezencës ndërkombëtare. Aktualisht në Kosovë, jo vetëm që kemi dualizëm të institucioneve lokale por edhe të atyre ndërkombëtare. Një gjendje si kjo nuk kontribuon për asgjë të mirë, por vetëm thellon edhe më tej krizën politike në vend, në kohën kur nevojitet një mobilizim më i madh për vendosjen e sundimit të ligjit.