Mos respektim i institucionit të konkursit dhe mundësi për nepotizëm

26/05/2008

Ferizaj, 26 Maj 2008: Drejtoria e Administratës dhe Personelit e Komunës së Ferizajt më 30 prill 2008 ka shpallur konkursin për plotësimin e vendit të punës: Udhëheqës i Zyrës së Prokurimit.

Sipas, z. Gazmend Rexhepi – jurist “Konkursi në fjalë, në pjesën për kushtet që kandidatët duhet të plotësojnë, nuk ka përfshirë edhe kushtin e posedimit të “Certifikatës profesionale të Prokurimit”, gjë që bie ndesh me Nenin 21, alineja 2 e Ligjit për Prokurim Publik të nxjerrë nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, i cili saktëson:

Një person mund të shërbej si zyrtar i prokurimit vetëm nëse posedon diplomën universitare dhe “Certifikatën profesionale të prokurimit” aktuale dhe të vlefshme, të dhënë nga IKAP, me të cilën dëshmohet se personi në fjalë ka përfunduar në mënyrë të kënaqshme trajnimin për këtë ligj dhe praktikat e prokurimit në UE.

Më tutje z. Rexhepi, deklaroi se ” Udhëheqësi i Zyrës së Prokurimit sipas nenit 24 është përgjegjës për nënshkrimin e kontratave, kurse një gjë të tillë ai ose ajo nuk mund ta bëjnë nëse nuk janë të certifikuar, sipas nenit 21.2″

z. Avni Bytyçi, zyrtar i Programit të INPO-së për Transparencë dhe Llogaridhënie, deklaroi se “Ky veprim, krijon përshtypjen e mos respektimit të institucionit të konkursit dhe mundësinë e akteve të nepotizmit; duke punësuar persona në bazë partiake, në këtë mënyrë duke dekurajuar persona jo partiak që të garojnë”.

Përfaqësues të INPO-së kanë realizuar një takim me Drejtorin e Drejtorisë së Administratës dhe Personelit z. Morina, i cili ka shprehur mundësinë e certifikimit të zyrtarëve pas punësimit, mirëpo ligji në nenin 21.2, sa i përket kësaj çështje është shumë specifik dhe i qartë.

INPO i bënë apel Kryetarit të Kuvendit Komunal z. Bajrush Xhemaili dhe z. Xhabir Morina, Drejtor i Drejtorisë së Personelit dhe Administratës që të rishqyrtojnë këtë konkurs dhe të garantojnë proces të ndershëm, te paanshëm dhe profesional të rekrutimit të zyrtarëve dhe nëpunësve civil në Kuvendin Komunal, gjë të cilën z. Xhemaili e ka premtuar edhe gjatë fushatës zgjedhore.

INPO do të bëjë monitorimin e zhvillimeve në kuadër të këtij konkursi dhe do të njoftojë mediat me reagimet eventuale.