INPO publikon raportin “100 premtimet e Shpend Ahmetit”

16/07/2021

Iniciativa për Progres “INPO” sot ka mbajtur konferencë për media ku ka prezantuar raportin me titull “100 premtimet e Shpend Ahmetit”. Raporti prezantoi gjetjet lidhur me  përmbushjen e 100 premtimeve të Kryetarit të Komunës së Prishtinës z. Shpend Ahmeti, respektivisht pasqyroi të dhënat lidhur me atë se sa nga premtimet janë përmbushur plotësisht, sa janë gjysmë të përmbushura, sa kanë filluar të realizohen dhe për sa premtime nuk është bërë asnjë veprim në kuadër të realizimit.

Kryetari i Komunës së Prishtinës gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2017 ka premtuar gjithsej njëqind (100) premtime, të cilat i ka ndarë në dhjetë fusha: (i) Lagja jonë e pastër dhe me  rregull  e  rend,  (ii)  Lagjja  jonë  me  Sport  dhe  Rekreacion,  (iii)  Mobilitet  dhe parkingje edhe në lagjen tonë, (iv) Prona jonë e barabartë në Planifikim, (v) Shëndet dhe Mirëqenie Sociale për të gjithë, (vi) Lagjja jonë me arsim të mirëfilltë, (vii) Zhvillim në çdo cep, (viii) Art në Lagjen tonë, (ix) Infrastrukturë në çdo lagje, dhe (x) Ndërmarrjet Publike në shërbim të qytetarëve. Secila fushë përmban në vete premtime të veçanta dhe numri i përgjithshëm i tyre është njëqind (100).

Hulumtuesi i lartë i INPO-s, z. Qëndrim Arifi, gjatë kësaj konference theksoi se nga njëqind (100) premtime, për gati katër vite mandat janë përmbushur plotësisht vetëm njëzetetetë (28) premtime, gjysmë të përmbushura janë pesëmbëdhjetë (15) premtime, kanë filluar së realizuari tridhjetekatër (34) premtime, kurse nuk është ndërmarr asnjë veprim konkret në kuadër të realizimit të njëzetetre (23) premtimeve.

Tutje, Arifi shtoi se fusha me më së paku premtime të realizuara është fusha “Prona jonë e barabartë në Planifikim, ku nga katërmbëdhjetë (14) premtime, plotësisht nuk është realizuar asnjë, ndërsa fusha me më së shumti realizim është fusha “Ndërmarrjet Publike në shërbim të qytetarëve”, ku nga dhjetë (10) premtime, tetë (8) prej tyre janë realizuar plotësisht. Më shumë se gjysma e premtimeve, përkatësisht 57% prej tyre janë në fazat fillestare të implementimit, përkatësisht nuk kanë filluar fare të realizohen.

Monitoruesi i INPO-s, z. Diell Haxhimusa potencoi se duke marr parasysh nivelin e përmbushjes së premtimeve, Kryetari i Komunës së Prishtinës duhet të intensifikoj angazhimet në kuadër realizimit të premtimeve të dhëna gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2017, ku si pasoj edhe është fituar mandati katër vjeçar. Kryetari duhet të  koordinoj  dhe  shpërndaj   përgjegjësitë  për   secilin drejtor komunal, respektivisht t’i vë në përgjegjësi drejtorët e drejtorive në të cilat bëjnë pjesë premtimet e pa përmbushura. z. Haxhimusa theksoi se Kryetari duhet të kujdeset që premtimet e filluara apo të mbetura në gjysmë të përfundohen sipas afateve të paracaktuara edhe pas organizimit të zgjedhjeve lokale, përkatësisht të shfrytëzohen të gjitha mekanizmat që premtimet e filluara apo ato gjysmë të përfunduara në të ardhmen të përmbushen plotësisht.

Klikoni këtu për të shkarkuar raportin e plotë.