INPO publikon Indeksin e kënaqshmërisë së qytetarëve me shërbimet komunale në Prishtinë

11/08/2017
Organizata Jo-Qeveritare INPO sot përmes një konference ka publikuar raportin e Indeksit të kënaqshmërisë së qytetarëve me shërbimet komunale në Prishtinë.

Indeksi është dizajnuar të bëjë vlerësimin e kënaqshmërisë me shërbimet komunale të cilat ofrohen nga komuna bazuar në kompetenca vetanake. Indeksi ka bërë matjen e 15 lloje të ndryshme të shërbimeve komunale, si dhe matjen e kënaqshmërisë së qytetarëve me pushtetin lokal duke i pyetur qytetarët për nivelin e kënaqshmërisë së tyre me punën e Kryetarit, Kuvendit Komunal dhe Drejtorive Komunale. Të dhënat e dalura nga anketa, përfaqësojnë mendimet e qytetarëve të moshës 18 vjeç e më shumë, gra dhe burra, të cilët janë intervistuar përgjatë muajit maj dhe qershor 2017, në zonat urbane dhe rurale të Prishtinës.

Të dhënat e “Indeksi i kënaqshmërisë me shërbimet komunale”, tregojnë se qytetarët e Prishtinës në përgjithësi janë të kënaqur me shërbimet komunale dhe punën e Kryetarit të Komunës dhe Drejtorive Komunale. Ndërsa, në listën e pakënaqësive dominojnë mungesa parkingjeve publike, pamundësia për të lëvizur lirshëm në trotuare, mirëmbajtja e rrugëve, si dhe mungesa e aktiviteteve sportive dhe rinore. Negativisht është vlerësuar edhe puna e Kuvendit Komunal.

Mesatarja aritmetike e kënaqshmërisë me të gjitha shërbimet komunale në Prishtinë është 58.37%, ndërsa e pakënaqshmërisë 34.23%.

Rezultatet e këtij raporti u prezantuan në prani të eksponenteve të ndryshëm nga qeverisja komunale, përfaqësues të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, shoqërisë civile dhe medieve, të cilët vlerësuan lartë punën e organizatës INPO.

Sekretarja e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, znj.Rozafa Ukimeraj falënderoi INPO-n për hartimin e Indeksit dhe vlerësoi se të dhënat dhe rezultatet e INPO-s janë reale dhe të përafërta me rezultatet e raportit të Performancës së Komunave për vitin 2016, të cilin e harton MAPL në baza vjetore në kuadër të sistemit të menaxhimit të performancës komunale. Ajo u shpreh se është i rëndësishëm kontributi i INPO-s në matjen e kënaqshmërisë së qytetarëve për shërbimet komunale, pasi këto rezultate do të ndikojnë në avansimin e cilësisë së shërbimeve. “Bashkëpunimi me INPO-n dhe komunat në përgjithësi, ka ndikuar dhe po ndikon në avansimin e qeverisjes së mirë dhe ofrimit të shërbimeve të mira për qytetarë”, theksoi ajo. Ndërkaq, u shpreh se komuna e Prishtinës është njëra ndër 6 komunat me performancë më të lartë në nivel të Kosovës, sipas matjes së performancës nga MAPL-ja dhe rrjedhimisht të dhënat e këtij indeksi përputhen me vlerësimet tona si ministri.

Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, z.Muhedin Nushi, tha se INPO është një nga organizatat që kemi bashkëpunim shumë të ngushtë sidomos në vitet e fundit dhe u jemi falenderues për këtë Indeks që na kanë ofruar. “Këtë raport e vlerësoj të përgatitur mirë si nga aspekti profesional metodik, ashtu edhe për nga ai përmbajtësor. Vlerësoj se të dhënat e Indeksit janë reale dhe përputhen me të gjitha raportet tjera që kanë pasur synim matjen e këtyre shërbimeve,” tha ai. Ndërkohë, që z.Nushi u deklarua se pavarësisht rezultateve pozitive të Indeksit komuna nuk është e gatshme të vetëkënaqet me performancën e saj, por përkundrazi ky rezultat na shtyen që edhe më tutje të angazhohemi në ngritjen e cilësisë së shërbimeve komunale në Prishtinë.

Drejtorja Ekzekutive e INPO-s, znj.Albulena Nrecaj, tha se INPO synon që këtë Indeks ta realizoj në baza vjetore, në mënyrë që të kemi të dhëna reale të kënaqshmërisë me performancën e komunës, rezultatet e së cilit do të ndikonin në matjen e efektshmërisë të investimeve komunale, prioritizimin e tyre dhe ngritjen e cilësisë së shërbimeve komunale.

Raportin e detajuar mund ta lexoni duke klikuar këtu.

Ky grant është financuar nga projekti Promovimi i Shoqërisë Demokratike (DSP) – financuar nga Zyra Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë (SCO-K) dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Danimarkës (DANIDA) dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KSCF).