INPO publikon Indeksin e kënaqshmërisë së qytetarëve me shërbimet komunale në Ferizaj

04/08/2017

Organizata Jo-Qeveritare INPO sot përmes një konference ka publikuar raportin e Indeksit të kënaqshmërisë së qytetarëve me shërbimet komunale në Ferizaj.

Indeksi është dizajnuar të bëjë vlerësimin e kënaqshmërisë me shërbimet komunale të cilat ofrohen  nga komuna bazuar në kompetenca vetanake. Indeksi ka bërë matjen e 15 lloje të ndryshme të shërbimeve komunale, si dhe matjen e kënaqshmërsië së qytetarëve me pushtetin lokal duke i pyetur qytetarët për nivelin e kënaqshmërisë së tyre me punën e Kryetarit, Kuvendit Komunal dhe Drejtorive Komunale. Të dhënat e daluara nga anketa, përfaqësojnë mendimet e qytetarëve të moshës 18 vjeç e më shumë, gra dhe burra, të cilët janë intervistuar përgjatë muajit maj 2017, në zonat urbane dhe rurale të Ferizajt.

Të dhënat tregojnë se cilësia e arsimit së bashku me infrastrukturën shkollore, shërbimet shëndetësore, planifikimi urban dhe rural, mungesa e parkingjeve publike, trotuareve, hapësirave gjelbëruese, mirëmbajtjes së rrugëve, aktiviteteve sportive dhe rionre, dominojnë në listën e pakënaqësive të qytetarëve. Pothuajse tre të katërtat e qytetarëve janë të pakënaqur me punën e Kuvendit Komunal dhe Drejtorive Komunale, ndërsa më shumë së gjysma e qytetarëve të komunës janë të pakënaqur me punën e Kryetarit.

Ndërsa, shëbimet të cilat janë vlerësuar të kënaqshme nga qytetarët përfshijnë shërbimet administrative; transportin publik; ndriqimin publik; numrin e parqeve dhe shesheve; ujin e pijeshëm; grumbullimin e mbeturinave; kanalizimi dhe aktivitetet kulturore të organizuara nga komuna.

Mesatarja aritmetike e kënaqshmërisë me të gjitha shërbimet komunale në Ferizaj është 43.72%,  ndërsa e pakënaqshmërisë 47.24%.

Rezulatet e këtij raporti u prezantuan në prani të eksponenteve të ndryshëm nga qeverisja komunale, përfaqësues të Ministrisë së Adminsitrimit të Pushtetit Lokal, shoqërisë civile dhe medieve, të cilët vlerësuan lartë punën e organizatës INPO.

Drejtori i Departamentit të Performancës dhe Transparencës Komunale në kundër MAPL-së, z.Avni Sahiti, vlerësoi se rezulatet e Indeksit të INPO-s janë reale dhe të përafërta me rezultatet e raportit të Performancës së Komunave për vitin 2016, të cilin e harton MAPL në baza vjetore, në kuadër të sistemit të menaxhimit të përformancës komunale. Ai i shpreh se ky raport do t’i ndihmoj komunës së Ferizajt por edhe MAPL-së, që të orientojë dhe planifikojë politikat investive karshi nevojave dhe pritshmërive të qytetarëve në mënyrë që të rritet performanca e komunës dhe rrjedhimisht të ngritet cilësia e shërbimeve të ofruara.

Kryetari i Komunës së Ferizajt, z.Muharrem Svarqa, tha se INPO është një organizatë kredibile dhe ka dhënë kontribut të çmueshëm në ngritjen e cilësisë së qeverisjes komunale. “Unë gjitnjë jam treguar i gatshëm të bashkëpunoj dhe të pranoj gjetjet e punës së tyre pavarësisht kritikave që kanë në raport me punën e komunës”, theksoi ai. Ai u zotua, se ky dokument do të zë vend të rëndësishëm në takimet planifikuese të drejtorive dhe komunës në përgjithësi, pasi përbëjnë bazë të mirë për prioritizimin e politikave të reja dhe investimeve specifike në fusha prioritare. “Jam i interesuar, që si komunë, t’i analizojmë një për një të gjitha rezultatet dhe vlerësimet e Indeksit, me qëllim që t’i adresojmë në mënyrën sa më të mirë”- tha ai.

Ndërsa, z.Faruk Guri, Kryesues i Kuvendit Komunal të Ferizajt, tha se INPO ka bërë një punë të shkëlqyer por vlerësoj së përceptimi qytetarë nuk është real.”Investimet të cilat i kemi bërë dhe punën konkrete në terren, sidomos në infrastrukturë, nuk po vlerësohen nga ana e qytetarëve”, u shpreh ai. Jam i befasuar me këto rezultate- shtoi ai.

Drejtorja Ekzekutive e INPO-s, znj.Albulena Nrecaj, tha që INPO synon këtë Indeks ta realizoj në vazhdimësi, në mënyrë që të kemi të dhëna reale të kënaqshmërisë me performancën e komunës, rezultatet e së cilit do të ndikonin në prioritizimin e investimeve dhe ngritjen e cilësisë së shërbimeve komunale.

Ky grant është financuar nga projekti Promovimi i Shoqërisë Demokratike (DSP) – financuar nga Zyra Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë (SCO-K) dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Danimarkës (DANIDA) dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KSCF).

Niveli i përgjithshëm i kënaqshmërisë me shërbimet komunale në Ferizaj

Niveli i përgjithshëm i kënaqshmërisë me pushtetin lokal në Ferizaj