Fushata sensibilizuese “Ti je Vendimmarrës”

06/02/2017

Organizata joqeveritare INPO, në kuadër të Programit për Qeverisje të Mirë, sot (e hënë), ka nisur fushatën sensibilizuese “Ti je Vendimmarrës”.

Kjo fushatë ka për qëllim sensibilizimin e qytetarëve për rritjen e pjesëmarrjes së tyre në proceset e qeverisjes lokale. Fushata do të realizohet në komunën e Ferizajt dhe atë të Prishtinës. Nëpërmjet saj do të promovohet rëndësia e pjesëmarrjes së qytetarëve në takime publike, si dhe përfshirja e tyre në proceset vendimmarrëse që i takojnë nivelit lokal të qeverisjes.

Fushata do të realizohet nëpërmjet shpërndarjes së broshurave, takimeve me qytetarë, me përfaqësues të Bashkësive Lokale të dy komunave dhe prezencës së organizatës në rrjete sociale duke shpërndarë materiale e ndryshme për aktivitetet.

Me këtë fushatë, INPO synon t`i vetëdijesojë qytetarët për rëndësinë e pjesëmarrjes së tyre në hartimin e politikave të komunës së tyre, t`i informojmë se cilat janë proceset ku ata mund të jenë pjesëmarrës dhe ta nxisim qytetarinë aktive në të dy komunat.

Materialet e fushatës sensibilizuese do të paraqesin mekanizmat ligjorë që mundësojnë pjesëmarrjen e qytetarëve në qeverisje: format e ndryshme të avokimit për problemet me të cilat ata ballafaqohen, si dhe shpërndarjen e përgjegjësisë në Kuvendin Komunal përmes Komiteteve Këshillëdhënëse ku mundësohet pjesëmarrja e hapur e të gjithë qytetarëve.

Ky grant është financuar nga projekti Promovimi i Shoqërisë Demokratike (DSP) – financuar nga Zyra Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë (SCO-K) dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Danimarkës (DANIDA) dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KSCF).

Fletushka, faqja e parë dhe e katërt

Fletushka, faqja e dytë dhe e tretë