Alo Komuna

22/05/2008

Ferizaj, 22 Maj 2008- Iniciativa për Progres vizitoi Zyrën për Informim të Komunës së Ferizajt për t’u njohur më për së afërmi me rezultatet e dala nga instalimi i linjës telefonike “Alo komuna” (0290329555) në Janar të këtij viti, që është realizuar nga INPO në bashkëpunim me Telekomin e Ferizajt dhe Kuvendin Komunal. Gjithashtu, INPO është duke bërë përpjekje që në bashkëpunim me PTK-në të shndërroj këtë numër në linjë pa pagesë.

Zyrtari për Informim i Komunës së Ferizajt, z. Afrim Matoshi, gjatë takimit të sotëm u shpreh i kënaqur me thirrjet e realizuara në këtë linjë, nga një numër i konsiderueshëm qytetarësh dhe u shpreh i gatshëm që edhe më tutje të jetë në shërbim të të gjithë atyre që dëshirojnë të telefonojnë në këtë numër, për çfarëdo që mund të kenë nevoje. Megjithatë z. Matoshi theksoi se,”trendi i thirrjeve ka rënë paksa, pas shpërnguljes së sektorit të shërbimit civil në stacionin e SHPK-së në Ferizaj, pasi që numri më i madh i telefonuesve kanë kërkuar ndihmë ose sqarime për shërbimet civile”.

Albulenë Sadiku nga INPO theksoi se kjo linjë është edhe një mundësi alternative që mund ta shfrytëzojnë qytetarët e Ferizajt për të marrë informacione mbi punën e Kuvendit Komunal të Ferizajt. Instalimi i kësaj linje është një shembull i mirë i bashkëpunimit të Shoqërisë Civile me Zyrën për Informim të Komunës së Ferizajt, kjo shtynë INPO-n të bëjë përpjekje të vazhdueshme që ta promovojë këtë linjë dhe që në të ardhmen thirrjet në këtë numër të jenë pa pagesë.