Kuvendi Komunal i Ferizaj nxjerrë vendime kundërligjshëm

01/02/2017

Organizata INPO reagon ashpër ndaj vendimeve të jashtëligjshme të Kuvendit Komunal të Ferizajt për hedhjen në shqyrtim publik të Planit Zhvillimor Komunal dhe faljen e borxheve Shoqatave të dala nga lufta si dhe shoqatës së ish- të burgosurve politikë për shfrytëzimin e autoparkingjeve.

 

Bazuar në monitorimin e INPO-s, seanca e parë e KK-së, është përcjellë me parregullsi të shumta, që nga përgatitja e rendit të ditës e deri te dokumentacioni nga ana e ekzekutivit dhe mënyra e votimit.

 

Propozim vendimin për hapjen e diskutimit publik për Planin Zhvillimor Komunal, INPO e vlerëson si papërgjegjshmëri të kryesuesit të kuvendit dhe kryetarit të komunës, si dhe shkelje të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, neni 43, i cili obligon kryesuesin e kuvendit, që materialet e mbledhjes t’ia dërgoj anëtarëve të kuvendit 7 ditë para mbledhjes. Ndërsa, draft-Plani Zhvillimor Komunal i është dërguar anëtarëve vetëm 3 ditë më herët. Kësisoj, shumica dërmuese e anëtarëve të kuvendit nuk kanë pasur mundësinë as ta lexojnë këtë draft-plan e lërë më t`i kuptojnë objektivat dhe projeksionet strategjike zhvillimore të komunës. Për më tepër, ky draft-plan, nuk u prezantua para anëtarëve të kuvendit nga kompania konsulente “INSI”, e cila kishte përfaqësues të saj në mbledhje. Madje nuk u sqaruan një mori dilemash të ngritura nga këshilltari Enver Haliti. Të njëjti iu mohua e drejta e replikës nga kryesuesi i Kuvendit.

 

Mosgatishmëria e anëtarëve të kuvendit, përjashto 2 apo 3 anëtarë, për të diskutuar draftin e dokumentit më të rëndësishëm zhvillimor të komunës dhe heshtja ndaj parregullsive për këtë pikë të rendit të ditës,  dëshmon papërgjegjshmërinë totale të kuvendit si organi më i lartë vendimmarrës në komunë.

 

Ky kuvend, pas propozimit të kryetarit të komunës, mori vendim të jashtëligjshëm dhe jashtë kompetencës së tij, që të falë borxhin e akumuluar në vlerë prej 208 mijë eurosh, shoqatave të dala nga lufta dhe shoqatës së ish- të burgosurve politikë, të cilët që nga viti 2008 kanë shfrytëzuar dhe menaxhuar autoparkingjet e qytetit.

 

Kuvendi komunal dhe as kryetari nuk kanë asnjë lloj kompetence apo mandati ligjor që t`i falin borxhet subjekteve të ndryshme, të cilat nuk i kanë kryer obligimet e veta kontraktuale. Për më tepër, ky kuvend është dashur që të kërkojë llogari nga kryetari i komunës, se pse nuk është intervenuar në kohë për të evituar akumulimin e borxhit. Gjithashtu të kërkohet llogari për dështimin në menaxhimin e kontratës për shfrytëzimin e autoparkingjeve.

 

Prandaj, INPO shpreh indinjatë ndaj qasjes së tillë të Kuvendit Komunal.

 

INPO, kërkon që këto dy vendime të anulohen nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal.

–          I pari, për shkak të shkeljes së proceduarave të përgatitjes së dokumentit, zhvillimit të debatit dhe paqartësive në procesin e votimit

–          I dyti për shkak të mungesës së bazës ligjore dhe dëmit që i shkaktohet buxhetit të komunës.

Gjithashtu, kërkojmë nga Kryetari i Komunës Muharrem Svarqa, t`i sqarojë publikut arsyet e mos arkëtimit të qirasë nga autoparkingjet dhe ta publikojë kontratën  për dhënien në shfrytëzim të autoparkingjeve.

 

“Ky grant është financuar nga projekti Promovimi i Shoqërisë Demokratike (DSP) – financuar nga Zyra Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë (SCO-K) dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Danimarkës (DANIDA) dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KSCF).”

 

Vendimet